BERLIN – Ish-kreu i spiunazhit gjerman dyshohet se i “transmetoi sekrete” Kinës
BERLIN, 8 tetor /ATSH-AA/ – Hetuesit gjermanë po shqyrtojnë nëse ish-kreu i inteligjencës August Hanning i ka transmetuar informacione sensitive një personi nga aparati i inteligjencës së Kinës.
Duke cituar disa burime të njohura me çështjen, revista Spiegel raportoi se avokati i Hanning, Leon Kruse, hodhi poshtë akuzat dhe theksoi se: “Klienti im po ndiqet padrejtësisht”.
Ai tha se Hanning kishte në posedim dokumente konfidenciale.
“Ajo që nuk është e saktë, megjithatë, është pretendimi se ai ka transmetuar informacionet e përfshira në to në dëm të Republikës Federale të Gjermanisë, e aq më pak në këmbim të pagesës”, tha avokati i tij.
Hetimet e mëtejshme do ta dëshmojnë këtë, tha Kruse.
Prokuroria Federale në Karlsruhe, e cila po heton 80-vjeçarin nën dyshimin për tradhti, spiunazh dhe vepra të tjera penale, nuk pranoi të komentojë lidhjen e pretenduar me Kinën.
– Prokurorët thonë se iu dorëzuan rreth 2.000 dokumente
Hanning drejtoi Shërbimin Federal të Inteligjencës së Jashtme të Gjermanisë (BND), nga viti 1998 deri në vitin 2005. Ai u arrestua të martën së bashku me ish-drejtorin e zyrës së tij, Manfred D.
Hetuesit thonë se pasi Hanning u largua nga agjencia, Manfred i siguroi atij për vite me radhë dokumente konfidenciale nga BND. Deri në qershor të vitit 2022, tha Prokuroria Federale, ai i kishte dorëzuar Hanningut “gati 2.000 dokumente”.
Prokurorët thonë se Hanning i përdori këto dokumente në të paktën një rast gjatë përgatitjes së një raporti sigurie, në kuadër të punës së tij private si konsulent për një anëtar të një shërbimi të huaj inteligjence.
Ata gjithashtu thanë se ai kishte kontakte të shpeshta me një tjetër zyrtar të huaj të inteligjencës. Prokurorët nuk kanë bërë të ditur emrin e asnjë vendi.
Televizionet publike gjermane WDR dhe NDR raportuan më herët se shërbimi i inteligjencës që kishte kontakte me Hanning nuk ishte rus.
– Lidhje të dyshuara me një gjeneral kinez në pension
Spiegel pretendoi se personi i huaj me të cilin dyshohet se Hanning kishte kontakte është Wang Jianzheng, një gjeneral-major kinez në pension dhe diplomat me lidhje me Hanning.
Wang shërbeu në misionin diplomatik të Kinës në Berlinin Lindor nga viti 1987 deri në vitin 1990 dhe më vonë u kthye në Gjermani, ku së fundmi shërbeu si atashe ushtarak deri në vitin 2013. Ai konsiderohet një nga ekspertët kryesor të Pekinit për Gjermaninë.
Sipas Spiegel, Hanning bëri disa vizita në Kinë pas daljes në pension. Në vitin 2017, ai dhe Wang me sa duket u takuan në një pritje zyrtare në qytetin Huaibei të Kinës lindore.
Një dokument i qytetit thotë se bisedimet u përqendruan te bashkëpunimi dhe zhvillimi ekonomik dhe se të dy vizituan së bashku kompani lokale.
Prokuroria Federale nuk pranoi të thoshte nëse lidhja e Hanningut me Wang është pjesë e hetimit.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.