BERLIN – Kushner: Trump nuk kërkon marrëveshje të njëanshme për paqen në Ukrainë
BERLIN, 20 nëntor /ATSH-ANSA/ – Presidenti amerikan, Donald Trump, nuk synon të arrijë një marrëveshje për përfundimin e luftës në Ukrainë vetëm me Rusinë, pa përfshirë Kievin dhe vendet evropiane në negociata.
Këtë e deklaroi Jared Kushner, i dërguari i Trump, gjatë takimit me udhëheqësit evropianë në Berlin, ku u diskutua përpjekja diplomatike për t’i dhënë fund konfliktit.
Kushner theksoi se Uashingtoni kërkon një marrëveshje që të përfshijë Ukrainën dhe Evropën, duke hedhur poshtë shqetësimet se Trump mund të negociojë drejtpërdrejt me presidentin rus, Vladimir Putin, dhe t’u imponojë më pas palëve të tjera, kushtet e një marrëveshjeje.
“Trump nuk dëshiron një marrëveshje të njëanshme. Ai dëshiron një marrëveshje me Kievin dhe Evropën”, deklaroi Kushner.
Ai u përpoq të sigurojë liderët evropianë se administrata amerikane, nuk synon të vendosë për të ardhmen e Ukrainës pa pjesëmarrjen e saj.
Deklarata vjen në një kohë kur vendet evropiane kanë shprehur shqetësimin se bisedimet e drejtpërdrejta mes Trump dhe Putinit, mund t’i lënë ato jashtë vendimmarrjes për sigurinë e kontinentit dhe të ardhmen e Ukrainës.
Gjatë takimit në Berlin, të dërguarit amerikanë Jared Kushner dhe Steve Witkoff diskutuan me përfaqësuesit evropianë dhe presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, për mënyrën se si mund të ndërtohet një proces i përbashkët negociatash.
Sipas Kushner, synimi i Trump është që Shtetet e Bashkuara, Evropa dhe Ukraina të punojnë së bashku për një marrëveshje, ku të merren parasysh interesat e sigurisë së të gjitha palëve të përfshira.
Diskutimet përfshijnë gjithashtu garancitë e sigurisë, që duhet t’i ofrohen Ukrainës pas përfundimit të luftës, në mënyrë që vendi të mos përballet sërish me rrezikun e një agresioni rus.
Kushner theksoi se arritja e një marrëveshjeje kërkon koordinim mes Uashingtonit, Kievit dhe kryeqyteteve evropiane, duke nënvizuar se administrata amerikane, kërkon një zgjidhje të negociuar dhe jo një marrëveshje të imponuar nga njëra palë. /



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.