Rasti i Arlinda Zekajt – drejtorja Mirëqenies Sociale tregon për takimin me të ndjerën, mohon se e detyroi ta tërhiqte ankesën
Komisioni Hetimor Parlamentar ka intervistuar Albulena Muja Bajraktarin, drejtore e Mirëqenies Sociale në Komunën e Pejës, lidhur me rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt.
Gjatë raportimit para Komisionit, ajo ka folur për mbikëqyrjen e punës së Qendrës për Punë Sociale, kapacitetet e saj njerëzore dhe takimin që kishte zhvilluar me të ndjerën pas paraqitjes së rastit në polici.
E pyetur nëse kërkon raporte periodike nga Qendra për Punë Sociale, Muja Bajraktari u përgjigj se një gjë të tillë e bën vazhdimisht.
“Edhe në Kuvend, çdo gjashtë muaj, jemi transparentë edhe me qytetarët. Edhe nga Qendra për Punë Sociale marr informata e raporte, aq sa më takojnë”, deklaroi ajo.
Anëtari i Komisionit, Burim Ramadani, e pyeti nëse, përveç pranimit të raporteve, drejtoresha ushtron edhe mbikëqyrje më të thelluar, duke kërkuar informacione shtesë në rastet kur vërehen mangësi në ofrimin e shërbimeve, siç mund të jetë mungesa e psikologut.
Në përgjigjen e saj, Muja Bajraktari tha se raportet që pranon janë kryesisht narrative dhe statistikore, ndërsa për rastet më delikate kërkon informacione shtesë.
“Raportet i pranoj në kuptimin narrativ dhe statistikor, sa raste të dhunës janë. Në rast se njëri prej rasteve është më delikat dhe kërkon mbështetjen e drejtorisë, atëherë normalisht kërkoj një feedback, një informatë shtesë, në mënyrë që të shoh se çka mund të intervenojmë ne si drejtori në raport me ofrimin sa më cilësor të shërbimit”, tha ajo.
Duke folur për numrin e punonjësve dhe ngarkesën me raste në Qendrën për Punë Sociale në Pejë, drejtoresha bëri të ditur se në dy shërbimet që ofron kjo qendër janë të angazhuar gjithsej shtatë zyrtarë.
Ajo tregoi se numri i punonjësve në shërbimin profesional është zvogëluar për dy pozita, pasi njëra nga punëtoret, psikologe me profesion, ka kaluar në pushim të lehonisë, ndërsa një tjetër është transferuar në një dikaster tjetër.
Sipas saj, kjo ka ndikuar në rritjen e ngarkesës me raste dhe në vështirësimin e përmbushjes së standardeve të kërkuara për trajtimin e tyre.
“Te pjesa e shërbimit profesional ka filluar rritja e vëllimit të rasteve dhe normalisht edhe ai presioni që zyrtari të mos mundë ta kompletojë punën në nivelin ose standardin që i kërkohet, kur njëra prej punëtoreve, në këtë rast psikologia, ka kaluar në pushim të lindjes dhe njëra prej punëtoreve të tjera ka kaluar në një dikaster tjetër. Automatikisht është zbrazur numri i punëtorëve në minus dy vende”, deklaroi ajo.
Muja Bajraktari theksoi se kapacitetet aktuale njerëzore nuk janë të mjaftueshme, duke ia atribuuar një pjesë të kufizimeve mungesës së grantit specifik për shërbimet sociale në nivel komunal.
Sipas saj, nëse komunat do të kishin grant të veçantë për këtë fushë, sikurse Drejtoria e Arsimit dhe ajo e Shëndetësisë, do të mund të investonin më shumë në kapacitetet njerëzore dhe infrastrukturore.
Gjatë seancës, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi e pyeti drejtoren nëse ishte takuar me të ndjerën Arlinda Zekaj.
Muja Bajraktari e konfirmoi se kishte zhvilluar një takim me të, ndërsa mohoi pretendimet se e kishte detyruar ta tërhiqte ankesën.
“Jo, nuk është e vërtetë”, u përgjigj ajo.
Duke shpjeguar rrethanat e takimit, drejtorja tha se ai ishte zhvilluar menjëherë pas paraqitjes së rastit në polici. Sipas saj, rasti ishte raportuar të premten, më 10 korrik, në orët e pasdites, ndërsa Arlinda kishte kërkuar takim me të të hënën në mëngjes.
“Takimi ynë ka ndodhur menjëherë pas paraqitjes së rastit në polici. Rasti është paraqitur më datën 10 korrik, ka qenë ditë e premte pasdite, në bazë të raportit të informacionit që e kam. Edhe Arlinda ka ardhur menjëherë ditën e hënë. Ka kërkuar takim me mua paradite, menjëherë sapo kam filluar punën. Normalisht që e kam pritur”, tha ajo.
E pyetur nëse Arlinda Zekaj kishte shprehur shqetësime gjatë takimit, Muja Bajraktari deklaroi se e ndjera kishte shprehur pakënaqësi lidhur me trajtimin e rastit në polici dhe vlerësimin profesional.
“Arlinda ka shprehur shqetësime për trajtimin e rastit në polici, ku ka qenë prezent edhe zyrtari për shërbime sociale. Ka kërkuar që rasti të trajtohet me prezencë në vazhdim, të trajtohet me prezencë të Ambasadës Amerikane dhe ka shprehur shqetësim në aspektin profesional të vlerësimit, duke e cilësuar si vlerësim të njëanshëm”, deklaroi drejtorja.
Ajo tha se, pasi kishte kuptuar arsyen e takimit, kishte ftuar menjëherë udhëheqësin e Shërbimit Social, në mënyrë që ai, në cilësinë e profesionistit, ta udhëzonte Arlindën për të drejtat dhe procedurat që duhej të ndiqeshin.
“Menjëherë sapo e kam kuptuar arsyen e takimit, e kam ftuar udhëheqësin e Shërbimit Social, në cilësinë e profesionistit, për ta udhëzuar palën se çka ka të drejtë dhe cilat janë procedurat në vijim. Udhëheqësi i ka kërkuar Arlindës që të gjitha këto kërkesa e ankesa t’i dorëzojë me shkrim dhe pastaj ta shohim mënyrën e trajtimit”, tha ajo.
Gjatë pyetjeve nga deputetët, drejtorja u pyet nëse mund ta dëshmonte me shkrim takimin dhe përmbajtjen e tij.
Ajo sqaroi se takimi ishte zhvilluar në zyrën e saj dhe kishte qenë verbal, duke theksuar se nuk posedon procesverbal për këtë takim.
Edhe kur deputeti Adnan Rrustemi e pyeti nëse ekziston dokumentacion me shkrim për takimin që kishte zhvilluar me përfaqësuesit e Qendrës për Punë Sociale, ajo përsëriti se takimi ishte mbajtur në zyrë dhe nuk ishte dokumentuar me procesverbal. /Telegrafi/



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.