BERLIN – Merz: Emigrantët myslimanë duhet të pranojnë përgjegjësinë historike të Gjermanisë për Holokaustin
BERLIN, 6 nëntor /ATSH-DPA/ -Kancelari gjerman Friedrich Merz u ka bërë thirrje emigrantëve myslimanë që nuk pranojnë përgjegjësinë historike të Gjermanisë për Holokaustin të largohen nga vendi.
“Përgjegjësia historike e vendit tonë vlen njësoj edhe për ata që vijnë në Gjermani nga vendet islame. Kushdo që nuk e pranon këtë, duhet të largohet nga vendi ynë”, deklaroi sot Merz gjatë një pritjeje në Berlin për sportistët hebrenj.
Kancelari priti pjesëmarrësit në Maccabiah, një aktivitet ndërkombëtar sportiv për hebrenjtë, që zhvillohet çdo katër vjet në Izrael.
Gjatë takimit, një trajner basketbolli i tha se sportistët kishin frikë se mund të sulmoheshin në rrugët e Gjermanisë nëse mbanin veshur xhupat e kuq të ekipit “Maccabi”, të cilët mbanin Yllin e Davidit.
Në përgjigje, kancelari Merz iu referua një fjalimi të ish-presidentit gjerman Richard von Weizsäcker, mbajtur në Bundestag në vitin 1985, me rastin e 40-vjetorit të përfundimit të Luftës së Dytë Botërore.
Ai kishte theksuar se brezat e rinj nuk janë përgjegjës për krimet e së kaluarës, por mbajnë përgjegjësi për mënyrën se si ato kujtohen dhe trajtohen në histori.
Merz tha se këto fjalë përbëjnë një parim të palëkundur, i cili vlen për të gjithë shoqërinë gjermane, por edhe për emigrantët që vendosen në Gjermani.
Ai i bëri këto komente në kontekstin e rasteve të veprave antisemite të kryera nga emigrantë myslimanë.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.