Europa

Berlini dhe pokeri i Greqisë

Në Gjermani shumë vetëve u ka mbaruar durimi me grekët. Po kancelares Merkel ende jo. Për të është më shumë në lojë se për gjithë të tjerët.

Fjala e shkurtër “Grexit” me të cilën përshkruhet dalja e Greqisë nga Eurozona dëgjohet gjithnjë e më shumë në Berlin. Para së gjithash politikanë nga koalicioni qeveritar i CDU, CSU dhe SPD e konsiderojnë të mundur një fund të negociatave midis Athinës dhe kreditorëve të saj të BE, Bankës Qendrore Evropiane dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar, madje disa e dëshirojnë këtë. Edhe tek njerëzit në Gjermani, dalëngadalë, por me siguri po ndryshon qëndrimi ndaj Greqisë: Vetëm 41 përqind e gjermanëve janë sipas sondazhit më të fundit të ZDF pro mbetjes së grekëve në eurozonë.

Një temë e preferuar për bisedat në televizionin gjerman janë aktualisht pensionet greke, për të cilat Athina refuzon pa lëkundje që të ndërmarrë kursime të mëdha. Sistemi grek i pensioneve është një ndër më të shtrenjtët në BE, mosha mesatare e hyrjes në pension është më e ulët se në Gjermani. Veç kësaj, po përhapet dyshimi, se miliardat, për të cilat garanton Gjermania në krizën e Greqisë, me ose pa “Grexit” janë të humbura. Gjithmonë e më shumë gjermanë mendojnë ndërkohë: edhe nëse është kështu, atëherë më mirë një fund me tmerr se sa një tmerr pa fund.

Berlini nuk do të bëhet kokë turku

Në Berlinin politik, toni përballë qeverisë Cipras është ashpërsuar, në një kohë kur ishte pikërisht zëvendëskancelari socialdemokrat Sigmar Gabriel që mori vrull në gazetën bulevardeske BILD. Gabrieli e akuzoi Athinën për shantazh, foli për “teoricienë loje” që zhvatin në qeveri dhe bubulloi që premtimet e tepruara në zgjedhje “të një qeverie pjesërisht komuniste” në Greqi nuk duhet të paguhen nga punëmarrësit gjermanë dhe familjet e tyre.

Vëzhguesit supozojnë se socialdemokrati, me sulmin e tij të ashpër deshi sërish të forcojë profilin e tij përballë kancelares Merkel. Por edhe në radhët e opozitarëve të Gjelbër ndërkohë qëndrimi refuzues i Tsiprasit e kompani nuk kuptohet më.

Ai që e pyet këto ditë kancelaren Angela Merkel ose zëdhënësin e saj Steffen Seibert për Greqinë, merr vetëm një informacion: “Ne bëjmë gjithçka për ta mbajtur Greqinë në euro.”Veç kësaj, vendi ku bëhen negociatat është Brukseli dhe vendimet janë në duart e Eurogrupit të ministrave të financave. Berlini shmang gjithçka për të mos u bërë kokë turku në fund, nëse dështojnë negociatat. Çdo pyetje drejtuar qeverisë, nëse ka një “Plan B” për këtë rast, nuk merr përgjigje.

“Të thirret ‘rroftë kancelarja'”

Rasti i Greqisë është shpallur tani në kompetencat e shefit. Merkeli është e gatshme të paguajë një çmim të lartë për qëndrimin e Greqisë në Eurozonë, Schäuble jo, supozon revista “Der Spiegel”. Nëse në Bundestag, që ka fjalë me peshë nëse do të ndryshohet ditët e ardhshme programi i shpëtimit për Athinën, do të votohej, kampi qeveritar nuk do t’ia mohonte mbështetjen Merkelit, edhe nëse ajo do të bëjë kompromise të tjera. Shumicën kancelarja e ka, thuhet nga partitë unioniste.

Pikërisht tek kancelarja, të cilën demonstruesit e Athinës e kanë paraqitur shpesh në karikatura naziste, drejtohen tani shpresat e Athinës. Ministri i Financave Varoufakis kërkon madje që kancelarja të mbajë një “Speech of Hope” drejtuar popullit të tij, njësoj siç e bëri ish-Ministri i Jashtëm i SHBA, Byrnes drejtuar Gjermanisë, pas Luftës së Dytë Botërore. Atëherë ai u premtoi gjermanëve mbështetje ekonomike. Pas një fjalimi të ngjashëm të Merkelit populli grek do të thërriste për kancelaren “rroftë” dhe ajo “mund të merrte udhëheqjen – jo vetëm për Greqinë, por për të gjithë Evropën”, thotë Varoufakis.

Kompromis në minutën e fundit?

“Dështon euro, dështon Evropa,” ka deklaruar Angela Merkel para pesë vjetësh në Bundestag. Zëdhënësi i saj thekson, se kjo vlen edhe për sot. Shkëputja e Greqisë mund të ishte fillimi i fundit të Eurozonës. Ky do të ishte edhe fundi i rolit drejtues të Merkelit në Evropë dhe një fiasko, të cilën do t’ia ngarkonin në radhë të parë asaj.

Të tjerë e shohin më pak dramatike një dalje të Greqisë nga Eurozona, po saktë nuk e di askush. Qeveria greke duket se shpreson që të arrijë një kompromis në minutën e fundit në samitin e BE të enjten (25.06 – 26.06) dhe të premten e javës së ardhshme.

Në mbledhjen e fundit të kryesisë së CDU-së në Berlin, thuhet se Angela Merkeli ka thënë, se beson që qeveria e Tsiprasit dëshiron të testojë kush ka nerva më të forta. Komenti i saj për këtë ishte: “Epo në rregull: le ta provojmë.”

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button