Ekonomia

BERZH: Rritja ekonomike në Shqipëri tejkalon me 1% nivelin e 2019 që këtë vit

Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) rishikoi parashikimet e saj mbi rritjen ekonomike të Shqipërisë përgjatë këtij viti.

BERZH pret që ekonomia shqiptare përgjatë vitit 2021 të rritet me 4.5% duke tejkaluar me 1% nivelin e 2019-ës. BERZH pret zgjerim me 4% për Shqipërinë vitin që vjen.

Nisja e vaksinimit masiv të popullatës çoi në përmirësim të situatës së shëndetit publik duke lejuar autoritetet të ndërmarrin një tërheqje graduale të masave të distancës sociale dhe kufizimeve të tjera. Si rezultat, ekonomia nisi rimëkëmbjen. Prodhimi industrial dhe shitjet me pakicë janë rikuperuar dhe lëvizja e njerëzve po i rikthehet niveleve para-pandemike.

Tkurrja e prodhimit në vitin 2020 ishte gjithashtu më e butë sesa ishte parashikuar më parë nga BERZH dhe ndikimin kryesor e dhanë eksportet dhe mbështetja fiskale. BERZH parashikonte që ekonomia shqiptare të kishte një rritje me – 9.5% në vitin 2020, por ekonomia u rrit me -3.3%.

Por, Qeveria pret që në vitin 2021 ekonomia shqiptare të ketë një ritëm rritjeje prej 5.5%, duke e rikthyer dukshëm ekonominë shqiptare drejt trendit të rritjes së qëndrueshme. Për të arritur këtë objektiv, ka propozuar politika fiskale zgjeruese që mbështesin investime të reja publike, të cilat do të kontribuojnë në rritjen ekonomike të vendit.

Stimujt e mëtejshëm fiskalë nga ana e shpenzimeve buxhetore shihen si një garanci për nivele të qëndrueshme të rritjes ekonomike që parashikohet në nivelin e 5.5 % këtë vit dhe në projektbuxhetin afatmesëm me një mesatare me 4.5 % për tre vite të tjera në vazhdim.
INSTAT publikoi raportin mbi PBB në tremujorin e parë të këtij viti, sipas të cilit ekonomia e vendit tonë u rrit me 5.3 %.

Rritja ekonomike me 5.53 % në tremujorin e parë të këtij viti, rritja e eksporteve, rritja e konsumit, por edhe e të ardhurave të mbledhura në buxhetin e shtetit përgjatë 5 muajve të parë të këtij viti tregojnë rikthimin e ekonomisë shqiptare në trendet e saj të rritjes me ritme edhe më të larta sesa të para pandemisë.

Eksportet “Made in Albania” shënuan rritje me 39 miliardë lekë në 5 muajt e parë të këtij viti, krahasuar me vitin e pandemisë. Ato rezultojnë të jenë 15 miliardë lekë më të larta këtë 5-mujor edhe se në të njëjtën periudhë të vitit 2019. Treguesit flasin qartë edhe për rritjen e konsumit në vend. Të ardhurat nga TVSH shënuan rekord historik për periudhën, duke arritur 55.2 miliardë lekë, ndërsa rritje më të lartë edhe se në vitin 2019 kanë të ardhurat nga akcizat dhe taksat kombëtare.

Në Ballkanin Perëndimor, prodhimi pritet të rritet me 5.1% në 2021, duke reflektuar rritjen e fortë të deritanishme dhe stimul të qëndrueshëm fiskal. Rritja parashikohet më e moderuar në 2022, konkretisht 3.8%.

Në rajon rimet më të larta të rritjes këtë vit do ta ketë ekonomia e Malit të zi me 8.5%, për shkak të rënies së madhe të vitit të kaluar me -15.2%, ekonomia e Serbisë do të zgjerohet me 6%, ekonomia e Maqedonisë me 4%, e Kosovës 4%, ndërsa ekonomia e Bosnjës me 3.5%.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button