Betoni dhe hekuri, mjetet më efikase për të rritur sipërfaqen e gjelbër të Tiranës

Tirana ka hyrë në një fazë të re të zhvillimit urban. Deri dje, njerëzit mendonin se sipërfaqja e gjelbër shtohej duke mbjellë pemë, duke hapur lulishte, duke ruajtur parqet dhe duke mos ndërtuar mbi to. Ishte një mendim i vjetër, pothuajse provincial. Sot kemi hyrë në kohën e urbanistikës moderne shqiptare, ku gjelbërimi shtohet më mirë me beton, hekur dhe, kur është e mundur, me një kullë.
Këtë na e shpjegoi edhe kryeministri Edi Rama gjatë prezantimit të projektit të ri që parashikohet të ngrihet në vendin ku ndodhet sot kompleksi i njohur si “Tajvani”, në Parkun Rinia. Nuk dua të merrem me kullën, me numrin e kateve, me pamjen, me investitorin dhe as me pyetjen nëse pas ndërtimit të saj Parku Rinia do të vazhdojë të jetë park apo do të kthehet në oborrin e një ndërtese të madhe. Këto janë hollësi.
Më tërhoqi vëmendjen një argument shumë më i rëndësishëm: projekti do të rrisë sipërfaqen e gjelbër.
Këtu kemi të bëjmë me një zbulim që meriton vëmendje. Deri tani botanika na kishte mësuar se pemët rriteshin në tokë. Urbanistika shqiptare na mëson se gjelbërimi mund të rritet edhe mbi beton. Madje, po ta vazhdojmë këtë logjikë, sa më shumë beton të hedhim, aq më shumë gjelbërim mund të kemi.
Mund të vijë dita kur Bashkia e Tiranës të mos ketë më nevojë për Drejtorinë e Gjelbërimit. Mjafton një drejtori betoni.
Në vend të fidanëve, porosit çimento. Në vend të lopatave, sjell vinça. Në vend të kopshtarëve, punëson inxhinierë ndërtimi. Pastaj, mbi ndonjë tarracë në katin e njëzetë, vendos pesë pemë në vazo dhe deklaron se qyteti ka fituar një park të ri.
Në fakt, Tirana ka kohë që po e provon këtë teori revolucionare. Aty ku dikur kishte një lulishtje pranë ish-Hotel Drinit, sot kemi ndërtim. Lulishtja përballë Kalasë së Tiranës i la vendin Qendrës Toptani. Hapësira e Namazgjasë ndryshoi funksion e pamje. Në zona të tjera, terrene që dikur ishin sportive, publike ose të lira janë mbushur me ndërtime.
Shembulli më madhështor mbetet ish-Kompleksi Sportiv Partizani. Dikur kishte palestra, pishinë, pistë atletike, fusha volejbolli e basketbolli dhe mijëra të rinj që merreshin me sport. Pastaj urbanistika shqiptare e kuptoi gabimin. Gjithë ajo tokë përdorej për të vrapuar, për të luajtur dhe për t’u stërvitur, kur mbi të mund të ngriheshin pallate. Sot aty numërohen 17 kulla. Një përmirësim i jashtëzakonshëm: nga sportistët kaluam te ashensorët.
Edhe ish-Uzina “Enver”, si shumë territore të mëdha të qytetit, i është nënshtruar së njëjtës ide zhvillimi. Tirana e vjetër kishte një defekt serioz: kishte vende bosh. Tirana moderne po e korrigjon. Nuk duhet të mbetet asnjë metër katror pa një projekt mbi kokë.
Por teoria jonë e re urbane ka një meritë edhe më të madhe. Ajo kujdeset për fëmijët.
Dihet se ajri i Tiranës nuk është gjithmonë ai që do të dëshironim t’u jepnim fëmijëve për të marrë frymë. Dhe zgjidhja tradicionale do të ishte e kushtueshme: më pak trafik, më shumë pemë, më shumë parqe, më shumë hapësira sportive dhe më shumë kënde lojërash.
Ne kemi gjetur një zgjidhje shumë më praktike: Prishim këndet e lojërave.
Në këtë mënyrë fëmijët nuk kanë më arsye të dalin jashtë dhe të thithin ajrin e ndotur. Rrinë në shtëpi, në siguri të plotë, përpara kompjuterit, tabletit ose PlayStation-it. Kështu, pa harxhuar para për të pastruar ajrin, mbrojmë fëmijët nga ndotja.
Madje po përgatisim edhe brezin e së ardhmes. Fëmija që dikur humbiste pasditen duke luajtur futboll, basketboll ose duke vrapuar në park, tani mund të kalojë gjashtë orë duke luajtur “Fortnite”, “Minecraft” apo çfarëdo loje tjetër elektronike. Kur të rritet, nuk do të dijë ndoshta të godasë mirë një top, por do të jetë mjeshtër i tastierës.
Ky quhet investim në teknologji.
Këndi i lojërave në zonën e Rrugës së Elbasanit është vetëm një nga kujtimet e një Tirane të vjetër, kur njerëzit mendonin se fëmijëve u duheshin hapësira për të luajtur. Sot kuptojmë se ishte një koncept i prapambetur. Fëmija modern nuk ka nevojë për fushë. Ka nevojë për Wi-Fi.
Edhe shëndeti zgjidhet më lehtë kështu. Në vend që qyteti t’i ofrojë fëmijës një pemë, një stol dhe një top, i ofron një apartament, internet me fibër optike dhe pamjen e një kulle tjetër nga dritarja.
Urbanistika dhe pediatria më në fund janë bashkuar.
Në këtë mënyrë Tirana fiton dy herë. Ndërtuesi merr truallin dhe fëmija shpëton nga ajri i jashtëm. Pastaj, për të plotësuar bilancin ekologjik, në tarracën e ndërtesës vendosen shtatë shkurre, tri pemë dekorative dhe një vijë bari. Sipërfaqja e gjelbër del, sipas projektit, më e madhe se më parë.
Në rendera kjo funksionon në mënyrë të përsosur.
Në fakt, Tirana është ndoshta një nga qytetet më të gjelbër të Evropës, po të gjykojmë nga renderat.
Pemët në rendera janë gjithmonë të bukura. Janë të drejta, të shëndetshme, nuk thahen, nuk kërkojnë ujë dhe, mbi të gjitha, nuk pengojnë investimin. Mund t’i vendosësh ku të duash: mbi tarracë, në ballkon, pranë pishinës, në katin e tridhjetë. Arkitekti shtyp një buton dhe Tirana fiton menjëherë një pyll.
Ka edhe një avantazh tjetër. Pemët virtuale nuk bëjnë hije mbi tokën ku mund të ndërtohet.
Problemi fillon vetëm kur qytetari del nga renderi dhe hyn në Tiranën e vërtetë.
Atje gjen trafikun, trotuarin e ngushtë, pluhurin, makinat dhe betonin. Për pemën duhet të ngrejë kokën lart, sepse mund të jetë në tarracën e restorantit në katin e pesëmbëdhjetë.
Megjithatë, teoria është interesante dhe duhet çuar deri në fund. Nëse një kullë në Parkun Rinia rrit sipërfaqen e gjelbër, atëherë çdo park i Tiranës është një mundësi e humbur ndërtimi.
Në Parkun e Liqenit mund të ndërtojmë dhjetë kulla dhe mbi secilën të vendosim nga një kopsht. Sipërfaqja e gjelbër do të shumëfishohej. Në oborret e shkollave mund të ndërtojmë pallate dhe në çdo ballkon të vendosim nga dy saksi me barbarozë. Edhe stadiumet mund t’i zëvendësojmë me rezidenca, ndërsa fushën e futbollit ta vizatojmë mbi çati.
Me pak përpjekje mund të arrijmë një ditë që Tirana të mos ketë më asnjë park në tokë, por statistikisht të ketë sipërfaqen e gjelbër më të madhe në Ballkan.
Ky është avantazhi i urbanistikës moderne: pemën mund ta presësh poshtë dhe ta numërosh lart.
Edhe fjalori duhet të ndryshojë. Nuk duhet të themi më “u ndërtua mbi një hapësirë të gjelbër”. Duhet të themi “u krijua një mundësi e re për gjelbërim vertikal”. Nuk duhet të themi “u zhduk këndi i lojërave”. Duhet të themi “fëmijët u orientuan drejt teknologjisë”. Nuk duhet të themi “u betonizua parku”. Duhet të themi “parku u zhvillua në lartësi”.
Kështu çdo gjë bëhet më e bukur. Edhe betoni bëhet ekologjik.Edhe hekuri bëhet i gjelbër. Edhe kulla bëhet park.
Dhe ndoshta një ditë do të vijë momenti kur në Tiranë nuk do të kemi më nevojë të mbjellim pemë fare. Do të mjaftojë të ndërtojmë kulla dhe mbi çdo projekt të shkruajmë me germa të mëdha: SHTOHET SIPËRFAQJA E GJELBËR.
Sepse në Tiranën e re natyra më në fund ka mësuar rregullat e tregut të ndërtimit. Pemët mund të rrinë në tarracë.Fëmijët mund të rrinë në shtëpi.
Toka i duhet kullës.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.