☀️
Tiranë 16°C · Kthjellët 06 Tetor 2026
S&P 500 7,824 ▲0.65%
DOW 51,498 ▲0.45%
NASDAQ 27,630 ▲0.55%
NAFTA 89.63 ▲0.22%
ARI 4,189 ▲0.78%
💱 VALUTAT
EUR/USD 1.1209 EUR/GBP 0.8483 EUR/CHF 0.9321 EUR/ALL 91.8826 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.3716 EUR/TRY 55.1309 EUR/JPY 177.16 EUR/CAD 1.5986 EUR/USD 1.1209 EUR/GBP 0.8483 EUR/CHF 0.9321 EUR/ALL 91.8826 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.3716 EUR/TRY 55.1309 EUR/JPY 177.16 EUR/CAD 1.5986
₿ CRYPTO
BTC $85,560 ▲ +0.24% ETH $2,695 ▼ -0.16% XRP $1.5007 ▲ +0.4% SOL $120.2900 ▲ +0.33%
S&P 500 7,824 ▲0.65 % DOW 51,498 ▲0.45 % NASDAQ 27,630 ▲0.55 % NAFTA 89.63 ▲0.22 % ARI 4,189 ▲0.78 % S&P 500 7,824 ▲0.65 % DOW 51,498 ▲0.45 % NASDAQ 27,630 ▲0.55 % NAFTA 89.63 ▲0.22 % ARI 4,189 ▲0.78 %
EUR/USD 1.1209 EUR/GBP 0.8483 EUR/CHF 0.9321 EUR/ALL 91.8826 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.3716 EUR/TRY 55.1309 EUR/JPY 177.16 EUR/CAD 1.5986 EUR/USD 1.1209 EUR/GBP 0.8483 EUR/CHF 0.9321 EUR/ALL 91.8826 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.3716 EUR/TRY 55.1309 EUR/JPY 177.16 EUR/CAD 1.5986
06 Tet 2026
Breaking
Opinion

Nga këmishëkafenjtë e Hitlerit te flamingot rozë

Nga Mero Baze

Në Gjermaninë e viteve 1920, ithtarët e Hitlerit ndërhynin dhunshëm në mbledhjet e partive kundërshtare dhe përlesheshin në rrugë, duke përdorur sulme në grup, rrahje dhe kërcënime, me synimin që kundërshtarët të kishin frikë të shfaqeshin apo të vepronin publikisht.

Ata quheshin “këmishëkafenjtë” dhe marshonin me uniforma, prishnin mbledhjet e kundërshtarëve, sulmonin aktivistët kundërshtarë dhe kërcënonin njerëzit për bindjet e tyre. Rrahja publike synonte ta përhapte frikën përtej personit të sulmuar, tek të gjithë ata që mund të kundërshtonin nazistët.

Kundërshtarët trajtoheshin si “armiq të Gjermanisë”, çka shërbente si justifikim ideologjik për sulmet.

Në Shqipëri quhen flamingo. Këta u zënë pritë çdo mëngjes njerëzve që piketojnë, kryesisht deputetë, gazetarë apo personalitete publike që nuk i kanë përkrahur në lëvizjen e tyre.

Në fillim vunë postera denigrues për artistë e këngëtarë, duke i rreshtuar në një “shtyllë turpi” të gjithë ata që nuk e mbështesnin protestën dhe nuk ishin në lartësinë e intelektit të Dea Mishelit.

Pastaj sulmuan gazetarët, duke e mbushur protestën me postera me portretet e tyre, pse ata nuk ishin në lartësinë e Osman Stafës.

Më pas sulmuan bizneset e turizmit në kulmin e sezonit, duke ndërmarrë një fushatë me vlerësime negative, si një akt i pashembullt kundër ekonomisë shqiptare “në emër të Shqipërisë”, pse ato biznese nuk ishin call center-a si të Agronit.

Udhëzuesit e terrorit ishin drejtuesit e protestës, të cilët kanë emra dhe mbiemra. Arlind Qori, Adriatik Lapaj dhe Agron Shehaj si politikanë, pastaj, të ndarë sipas departamenteve, ku listat e gazetarëve që duheshin linçuar i bënte Erbera, listat e artistëve i bënin blogeret e mbetura pa punë, listat e bizneseve Gonia, e kështu me radhë.

Tani, nga denoncimet publike, kanë kaluar te dhuna. Shkojnë në kafene, në rrugica dhe në dyert e Parlamentit për të qëlluar deputetë, gazetarë apo personalitete të shoqërisë civile, të cilët i quajnë kundërshtarë, për t’i dhunuar.

Rastet e fundit të Erion Braçes, gazetarit Bledi Mane apo linçimit të Agron Llakajt janë flagrante. Erion Braçe është dhunuar fizikisht pse iu kundërpërgjigj fyerjeve të tyre. Është cenuar imuniteti i një deputeti në punën e vet, i cili më shumë i ngre nervat partisë së tij sesa kundërshtarëve. Papërgjegjshmëria për ta sulmuar atë tregon se ata mendojnë se mund të kenë të drejtë të vendosin për të tjerët, se si duhet të mendojnë dhe çfarë duhet të mbështesin.

Bledi Mane po ashtu. E rrethuan në mes të rrugës, duke e fyer dhe qëlluar me vezë, pastaj edhe me gurë e me duar. Agron Llakajt i kanë ndaluar të merret me humor, se nuk u pëlqen.

Në Shqipëri ka një nënvlerësim të dhunës në rrugë, si nga policia, ashtu edhe nga gjykatat. Rastet shikohen si emocionale dhe askush nuk penalizohet.

Në Kosovë ka dhjetëra persona që janë dënuar me burg për një koment dhune në Facebook ndaj një personaliteti publik, qoftë ky politikan, gazetar apo artist, kur ai kërcënohet për shkak të profesionit të tij. Dhuna ndaj tij, qoftë edhe kërcënimi online për shkak të detyrës, mund të ndalet vetëm nga reagimi i shpejtë i policisë dhe i gjykatave për t’i ndëshkuar autorët.

Reshat Sadiku u dënua për kërcënimin e deputetit Avdullah Hoti me katër muaj burgim, të zëvendësuar me 2.000 euro gjobë, Fisnik Loci u dënua me 300 euro gjobë për kërcënimin me vrasje të Milaim Zekës në Facebook, ndërsa Afrim Bajrami u dënua me 30 ditë burgim efektiv për kërcënimin me jetë të deputetes Ariana Musliu-Shoshi.

Në prill 2026, Liman Berisha u dënua me 2.500 euro gjobë për mesazhet kërcënuese ndaj moderatorit Alaudin Hamiti, në qershor, Agron Kyçyk mori katër muaj burgim me kusht dhe ndalim hyrjeje në rrjetet sociale për gjashtë muaj për kërcënimin e gazetarit Ardit Kika, kurse në gusht, Kadri Xhemaili u dënua me gjashtë muaj burgim për kërcënimin me vrasje të Albin Kurtit në Facebook.

Në Shqipëri e nënvlerësojnë dhe kjo do të sjellë dy dëme të mëdha.

Dëmi i parë do të jetë që njerëzit do ta zgjidhin me vetëgjyqësi. Dhe ky do të jetë një çmim i rëndë për të gjithë. Me vetëgjyqësi nuk e zgjidhin duke mbajtur kamerën e telefonit përpara dhe duke sharë. E zgjidhin ashtu siç nuk duhet zgjidhur.

E dyta, mosreagimi i policisë dhe i drejtësisë do të bëjë që ky linçim publik të kthehet në teknikë politike dhe të adoptohet si metodë e luftës politike, duke e kthyer dhunën në institucion legjitim.

Kjo pastaj do të na çojë jo te rotacioni politik, por te rotacioni i dhunës, dhe nuk do të sjellë në pushtet as flamingo dhe as pëllumba paqeje, por egërsira. Pas ardhjes së Hitlerit në pushtet, më 1933, dhuna u shndërrua në persekutim të mbështetur nga shteti, duke përdorur arrestime, tortura dhe vrasje të kundërshtarëve.

Dhe atëherë të gjithë do të kujtohemi se heshtëm kur fashizmi ishte në rrugë, jo i veshur me uniformë kafe, por me rozën e flamingove.

Komentet

Bëhu i pari që komenton!

Lini një Koment të Ri

Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.

🔒 Komenti juaj do të publikohet pas miratimit nga moderatori.