Bota

Biden paraqet para OKB-së vizionin e tij për rolin e SHBA në botë

Kjo ishte një javë e rëndësishme për Presidentin Biden dhe rolin e tij udhëheqës në skenën botërore”, u tha të hënën gazetarëve një zyrtar i lartë i administratës duke iu referuar atyre që i cilësoi “përparësi kritike për sigurinë kombëtare të Amerikës dhe për paqen e prosperitetin e gjithë botës”.

Ky qëndrim është në kontrast të fortë me doktrinën “Amerika e Para” që mbështeste ish-paraardhësi i tij, Donald Trump.

Takimi vjetor i nivelit të lartë të OKB-së është një mundësi për organizatën prej 193 anëtarësh, që të diskutojë rreth sfidave me rëndësi rajonale dhe globale.

Presidenti Biden u nis drejt Nju Jorkut të hënën në mbrëmje për takimin ballë për ballë me rreth 100 krerë shtetesh në selinë e OKB-së.

Pas fjalimit të tij të martën, ai ka një takim në Nju Jork me kryeministrin australian Scott Morrison dhe më vonë gjatë ditës do të presë për bisedime në Shtëpinë e Bardhë kryeministrin britanik Boris Johnson.

Javën e kaluar tre vendet shpallën një pakt sigurie i cili do t’i sigurojë Australisë teknologji amerikane për ndërtimin e nëndetëseve bërthamore si dhe ekspertizën britanike në fushën detare. Marrëveshja synon ta ndihmojë Australinë të luftojë kërcënimet në rajonin e Indo-Paqësorit. Analistët e shohin gjerësisht masën si një përpjekje për t’iu kundërvënë ndikimit në rritje të Kinës në rajon.

Konflikti me Kinën

Në Kombet e Bashkuara, Presideti Biden do të flasë gjithashtu rreth vendimit që ka nxitur debate, tërheqjes së trupave nga Afganistani. Zoti Biden thotë se vendimi është pjesë e filozofisë së administratës së tij për t’u përqëndruar tek kundërshtari i vërtetë: Kina. Të dielën, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres u bëri thirrje Shteteve të Bashkuara dhe Kinës që të shmangin atë që ai e tha se mund të jetë një Luftë e Ftohtë e mundshme. Ai u bëri thirrje dy vendeve që të rregullojnë marrëdhënien e tyre “plotësisht jofunksionale” sikurse i cilësoi.

Nuk do të pajtohesha me këtë karakterizim të marrëdhënieve“, tha Sekretarja për Shtyp e Shtëpisë së Bardhë Jen Psaki të hënën, duke shtuar se presidenti Biden dhe homologu i tij kinez javën e kaluar patën një bisedë 90-minutëshe që ishte “e sinqertë, por sigurisht jo atje ku duhet”.

Nesër (të martën) presidenti do të mbajë një fjalim në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, dhe ai do ta bëjë të qartë padiskutim se nuk po kërkon të shkojë drejt një Lufte të Ftohtë të re në të ardhmen me asnjë vend të botës“, shtoi zonja Psaki.

Zyrtari i lartë i administratës Biden renditi çështjet ku do të përqëndrohet fjalimi i Presidentit Biden.

Fjalimi do të përqëndrohet në propozimin që ne të mbyllim kapitullin e 20 viteve luftë e të hapim një kapitull të diplomacisë intensive duke bërë bashkë aleatë, partnerë dhe institucione për t’u përballur me sfidat kryesore sikurse: COVID-19, ndryshimet klimatike, zhvillimi i teknologjisë, ato që lidhen me tregtinë dhe ekonominë, investimet në infrastrukturë të pastër e jashtë ndikimit të korrupsionit, tek qasja moderne ndaj antiterrorizmit e konkurrencë të fortë mes fuqive të mëdha, por jo një Luftë të Ftohtë të re“, tha ai.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button