Biden zotohet për unitet të NATO-s përballë “etjes” së Putinit për kontroll mbi Ukrainën
Presidenti Joe Biden e akuzoi presidentin rus Vladimir Putin se ka një “etje të papërmbajtur për territor dhe kontroll” të mërkurën, pas takimit dy ditor të NATO-s në ish-republikën sovjetike të Lituanisë. Zoti Biden u zotua se aleanca e NATO-s nuk do të lëkundet nga mbështetja e Ukrainës kundër agresionit rus.
Duke folur në Vilnius, jo shumë larg kufirit me Rusinë, presidenti Biden vlerësoi popullin e Finlandës, dikur pjesë e ish-Bashkimit Sovjetik dhe përshëndeti anëtarësimin e saj në aleancë dhe pranimin së shpejti të fqinjit të saj, Suedisë në NATO.
Zoti Biden, i cili e ka bërë forcimin e unitetit në NATO një nga prioritetet e tij kryesore të politikës së jashtme, tha se presidenti rus Putin e kishte nënvlerësuar vendosmërinë e aleancës ushtarake.
“NATO është më e fortë, më energjike dhe po, më e bashkuar se kurrë në historinë e saj. Në të vërtetë, më jetike për të ardhmen tonë të përbashkët. Nuk ndodhi rastësisht. Nuk ishte e garantuar”, tha zoti Biden para mijëra vetëve në Universitetin e Vilniusit ku shumë të pranishëm valvisnin flamuj amerikanë dhe lituanezë.
“Kur Putini dhe etja e tij e papërmbajtur për territor dhe kontroll, solli si rezultat luftën e tij brutale kundër Ukrainës, ai mendoi se NATO do të përçahej. . Ai mendoi se uniteti ynë do të shkatërrohej me provën e parë. Ai mendoi se udhëheqësit demokratë do të ishin të dobët, por ai e kishte gabim”.
Fjalimi i presidentit amerikan synonte të siguronte aleatët dhe të njëjtën kohë të nxirrte në pah rolin e tij në skenën botërore përpara fushatës për rizgjedhje të vitit 2024, që është përqëndruar tek eliminimi i ndasive brenda dhe jashtë vendit.
Megjithë mesazhin pozitiv të zotit Biden, zyrtarët amerikanë hasën sfida privatisht me homologët e tyre në Vilnius për të arritur një konsensus për drejtimin e luftës dhe çfarë garancie t’i jepnin Ukrainës për të ardhmen e saj në aleancën ushtarake atlantike, sipas katër diplomatëve të NATO-s të përfshirë në ato biseda.
Ukraina, nuk arriti të marrë as ftesën për t’u anëtarësuar në NATO e as një afat të caktuar për anëtarësim. Aleatët e NATO-s, në vend të kësaj, ranë dakord që Ukraina do të anëtarësohej kur “aleatët të bien dakord dhe të plotësohen kushtet”, thuhej në deklaratën e tyre, por pa dhënë detaje se kur mund t’i përmbushte Kievi këto kushte, madje edhe nëse do t’i përmbushte ato.
Para se të largohej nga Shtetet e Bashkuara për të marrë pjesë në takimin e nivelit të lartë, zoti Biden anashkaloi shqetësimet e aleatëve për miratimin e dërgimit të bombave thërrmuese për Ukrainën për të luftuar Rusinë.
DALLIMET ME ISH PRESIDENTIN TRUMP
Në një dallim të qartë me ish-presidentin Donald Trump, zoti Biden e ka kthyer Uashingtonin, deri tani kontribuesin më të madh në aleancë, një forcë shtytëse për forcimin e koalicionit ushtarak. Ish presidenti Trump, kandidati kryesor republikan për të sfiduar zotin Biden në zgjedhjet e nëntorit 2024 hodhi idenë e tërheqjes nga pakti i mbrojtjes i themeluar në fillimin e Luftës së Ftohtë në vitin 1949.
Ivo Daalder, president i Këshillit të Çikagos për Çështjet Globale, tha se sulmi i Rusisë në Ukrainë ishte forca shtytëse për Suedinë për t’u bashkuar me NATO-n.
Por ai shtoi se roli diplomatik “shumë i rëndësishëm” i zotit Biden ishte kritik për t’i dhënë fund kundërshtimit të Turqisë.
“Ai ka forcuar aleancat në Evropë dhe në të gjithë Azinë në një mënyrë që të them të drejtën, asnjë president tjetër nuk e ka bërë që nga fundi i Luftës së Ftohtë”, tha zoti Daalder.
Siç tregojnë sondazhet, ekziston një unitet i gjerë në Shtetet e Bashkuara në përkrahje të qasjes së Uashingtonit ndaj sulmit rus në Ukrainë që nisi para mbi 500 ditësh.
Zoti Trump ka shprehur skepticizëm për përfshirjen e zgjeruar të SHBA-së në luftën e Ukrainës. Të martën zoti Trump e kritikoi vendimin e presidentit Biden për të dërguar municione në Ukrainë.