Bilancet e bizneseve/ QKR sqaron procedurat e dorëzimit online tek e-albania
Afati i fundit i dorëzimit të pasqyrave financiare, raporteve të auditit dhe ecurisë së veprimtarisë pranë QKR-së, nga bizneset është 31 korriku. Qëndra Kombëtare e Regjistrimit nëpërmjet një njoftimi zyrtar, sqaron detajet si do procedohet.
Aplikimi do të bëhet online, duke i lehtësuar bizneset nga radha që krijohej më parë nga bizneset që nxitonin të dorëzonin fizikisht dokumentet e kërkuara. Kështu, sipas QKR-së, detyrimin për depozitimin e dokumentave të sipërcituara e kanë subjektet me një xhiro vjetore mbi 8 milionë lekë, të cilët duhet të depozitojnë pranë QKR-së:
– pasqyrat financiare vjetore të skanuara në format PDF;
– raportin e auditimit dhe ecurisë së veprimtarisë (kur mbajtja e tyre është e detyrueshme);
– vendimin për miratimin e pasqyrave financiare (sipas kërkesës ligjore).
QKR sqaron se depozitimi i dokumentave të sipërcituara mundësohet vetëm nëpërmjet aplikimit online në portalin qeveritar www.e-albania.al duke ndjekur të gjitha hallkat e procedurës për kryerjen e aplikimit. QKR thekson se aplikimet në sportele nuk do të pranohen, ndërkohë që formati elektronik i ruajtjes së pasqyrave financiare, duhet të jetë në PDF.
Ndërsa individi, i cili do të kryejë aplikimin, duhet të jetë i pajisur me kartë identiteti ose pasaportë biometrike. Më pas kryhet logimi në portalin qeveritar e-albania.al duke ndjekur të gjitha hallkat e procedurës për kryerjen e aplikimit.