Një nga legjendat e përhapura në siujdhesën e Ballkanit e me siguri produkt serb, por që e recitojnë edhe shqip, është që Bill Klinton bëri luftën e Kosovës për shkak të skandalit Lewinski.
Nuk ka gjë më të pështirë se ky krijim. Në janar 1999 çështja Lewinski kishte marrë fund përfundimisht me një gjobë që duhej të paguante Bill Klinton. Bombardimet mbi Serbi filluan në mars. Çështja Lewinski ishte një problem i mbyllur për amerikanët që më shumë i vlerësonin Klintonit prosperitetin ekonomik të presidencës.
Për Kosovën, kontributi i tij ishte unikal. Nuk ishte e lehtë të fusje rishtas në luftë një kontinent që po shijonte të mirat e pasluftës së ftohtë dhe donte të harronte përgjakjen e ish-Jugosllavisë. Kosova u la pas dere në Dejton, por kujt i interesonte një vend me shumicë myslimane, për më tepër që Milosheviç nuk ishte kasapi që njohim ne sot.
Ndërkohë që Evropa qeverisej nga e majta, do të ishte e vështirë që të tërhiqej në një luftë kundër Serbisë e cila ishte edhe trashëgimtarja morale e Jugosllavisë së Titos. Laburistët anglezë e kishin si normë të pashkruar që duhej t’i bënin pushimet në Jugosllavi. E majta gjermane përshkohet nga një ndjenjë filo-sllave. Gerhard Shrwder është shembulli sesi ish-kryeministri gjerman i kohës së luftës në Kosovë është edhe mik për kokë i Putinit. Ca më tepër “Të Gjelbrit” e Joshka Fisher pjesë e koalicionit qeverisës, ishin pacifistë të thekur dhe i mëshonin ndalimit që kushtetuta gjermane i bënte për të marrë pjesë në luftëra jashtë kufijve.
Pa harruar që vetë amerikanët nuk e dinin ku binte Kosova dhe pse duhej të hynin në luftë për një vend që ishte sa një lagje e Nju Jorkut.
Bill Klinton dhe Madlen Ollbrajt duhet të luanin gjithë fijet e interesave, gjithë regjistrat e ndjenjave, për të marrë miratimin për këtë luftë. Së bashku me Tony Blair, ishin treshja e musketarëve që kthyen mbrapsht historinë. Për herë të parë në histori Serbia ishte armike e Perëndimit dhe targeti që duhej shkatërruar. Ishte një ngjarje që as serbët vetë nuk e besonin se mund të ndodhte deri ditën që bombat e para iu ranë mbi kokë.
Më tej, ishte investimi amerikan i Xhorxh Bush për shpalljen e pavarësisë dhe njohjen e saj ndërkombëtare.
Pas shpalljes së pavarësisë rruga e Kosovës ishte tërësisht më e lehtë, por që fatkeqësisht u mor me mendjelehtësi nga lidershipi kosovar. Gjithsesi Kosova nuk ka qenë kurrë më mirë sesa pas vitit 2000, e deri një vit më parë. Fatkeqësisht rishtas Kosova është në zgrip. 24 vite pas bombardimit të Serbisë për shkelje të drejtës së minoritetit shqiptar, Kosova është nën sanksione për shkak të shkeljes së të drejtave të minoritetit serb. Me këtë sy e shikon Perëndimi, pavarësisht sesi e shohim ne apo sesi Beogradi e shet të vërtetën. Vizita e Klintonit në Tiranë është një mesazh. Dhe një mesazh që ka lidhje me Kosovën.
Një ish-president amerikan ka të njëjtat të drejta me një princ të kurorës në një mbretëri. Ka akses në informacionet sekrete sikurse në ato diplomatike; nuk është një pensionist që nuk ka si shtyn kohën, por përdoret shpesh nga diplomacia amerikane për të dhënë mesazhe apo negociojë marrëveshje. Ndaj Klintoni nuk është në Tiranë as për të shtyrë kohën e as për t’i dhënë një dorë Edi Ramës. Vizita e tij është mesazh për pjellën e tij, Kosovën. Është një mesazh që mos ta bëjnë që në histori të mbetet si presidenti që nxori në dritë një shtet të dështuar. Nuk dihet a e kuptojnë këtë në Prishtinë./dritare.net/