Bisedimet Shqipëri-Greqi, Bushati zbardh çështjet e diskutuara
“Procesi i bisedimeve me Greqinë nuk është i lehtë dhe as nuk është mbyllur, është një proces që vazhdon të ndërtohet mbi disa parime themelore që i imponon e drejta ndërkombëtare, mbi një frymë të qartë europiane dhe mbi nevojën për të gjetur një zgjidhje, e cila në fund të ditës është e pranueshme për palët”, deklaroi ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati gjatë seancës dëgjimore në Komisionin për Politikën e Jashtme.
Bushati dha të hënën shpjegime para deputetëve mbi bisedimet dypalëshe me homologun grek, Nikos Kotzias. Ministri vuri në dukje se me Greqinë ende nuk kemi përfunduar çështjen e e regjimit kufitar qoftë në det apo edhe në tokë, çështje kjo evidentoi ai, e trashëguar e e lënë në harresë.
“Nuk ka njeri në këtë sallë që të mendojë se marrëveshja e 2009-ës ishte e duhura. I vetmi që e mbron është Sali Berisha. Madje, është po Berisha që ka ngritur akuza se kjo marrëveshje është shfuqizuar për shkak të ndikimit të Turqisë në vendimmarrjen e Gjykatës Kushtetuese”, u shpreh ministri.
Qeveria jonë, vijoi ai, nuk e ka kurajon për të vënë gishtin tek 9 burra e gra që ulen në Gjykatë Kushtetuese e për ti konsideruar as të shitur të turqit e as të korruptuar. Por, theksoi Bushati, për sa kohë Gjykata Kushtetuese ka folur për këtë çështje, besoj se ky është perimetri që operon çdo qeveri.
“Ky është perimetri mbi të cilin operon çdo ekip që në të ardhmen në planin teknik do të ketë diskutime me Greqinë për këtë çështje. Gjykata Kushtetuese ka ngritur argumente të karakterit substancial për sa i përket kësaj marrëveshjeje në përgjithësi, sikundër ka ngritur edhe shqetësime të karakterit procedurial që fillojnë që nga plotfuqishmëria që duhet të marrë nga Presidenti i Republikës, e deri tek zgjidhja e kësaj çështjeje”, deklaroi kryediplomati shqiptar.
Bushati informoi se kishte biseduar me Presidentin duke e informuar atë para takimit për hapat që mund të ndërmerren në parim dhe siguroi se do t’i përmbaheshin me pa lëkundshmëri perimetrit kushtetues.
Po ashtu, ministri informoi se me Greqinë qeveria shqiptare ka hapur një kantier pune dhe konkretisht marrëveshjet për piramidat në kufirin tokësor dhe marrëveshjen për sa i përket menaxhimit të incidenteve në kufi. Po punojmë gjithashtu theksoi ai, për të pasur edhe menaxhim të përbashkët të regjimit kufitar siç i kemi me ndonjë vend tjetër fqinj.
Duke folur për varrezat, ministri Bushati tha se grupi i ekspertëve të ministrisë së Mbrojtjes ka shqyrtuar praktikën ndërkombëtare dhe po asistohet nga një ekspert i qeverisë amerikane për sa i përket rasteve të ngjashme me personat e zhdukur në konflikte.
“I gjithë ky proces do të mbyllet bashkërisht nga ekspertë shqiptarë dhe grek”, deklaroi ministri.
Sipas tij, me palën greke janë diskutuar edhe çështje të aktualitetit, si vula apostile apo të drejtat dhe lehtësitë e 500 mijë shqiptarëve që jetojnë në Greqi.
Duke folur për vulën apostile, në gjykimin tonë, theksoi Bushati, për sa kohë nuk e përdor Gjermania, Italia, Belgjika apo Spanja, që janë vende të BE-së. Ishte i pashpjegueshëm fakti që vula apostile të mbetej në raportin e Greqisë ndaj nesh. Fatura financiare nga aplikimi i kësaj rezeve, u shpreh ministri llogaritet 4-5 milionë euro.
Çështje të tjera, vuri në dukje ai, që po diskutohen me Greqinë janë edhe njohja e ndërsjellë e patentave apo edhe kontributeve të sigurimeve shoqërore e shëndetësore të komunitetit shqiptar në Greqi.
Sipas tij, ka vullnet politik për të zgjidhur këtë çështje por pengesë mbetet paaftësia e palës greke për të paguar.
Sa i takon çështjes së teksteve shkollore, ministri Bushati informoi se është ngritur një komision i përbashkët pune në nivel ekspertësh. “Grupi i punës është duke përfunduar eliminimin e referencave që kanë konotacion negativ për ta përshtatur këtë me standardin sot për sot të gjithë pranuar të Këshillit të Europës ku Shqipëria e Greqia janë vende anëtare.
Shqipëria informoi ministri Bushati, e ka bërë të qartë edhe qëndrimin për sa i takon çështjes çame. “Ne shprehim angazhimin tonë të qartë dhe të palëkundur për mos ndryshueshmërinë e kufijve,”deklaroi ministri. Kjo, sipas tij. do të thotë që jo vetëm nuk kemi pretendim për ndryshimin e kufijve, por dënojmë edhe çdo lloj pretendimi të tillë e çdo kërkesë që mund të vijë nga segmente të caktuara të shoqërisë shqiptare. Të njëjtën gjë ka bërë edhe qeveria greke dhe ne, u shpreh ministri, e kemi përshëndetur qëndrimin e saj.
“Zgjidhja e kësaj çështjeje duhet të mbështetet në konventat e të drejtave themelore të njeriut”, tha Bushati.
Kryediplomati iu dha përgjigje edhe akuzave se Shqipëria u ul në tryezën e bisedimeve nën presionin për integrimin e vendit në BE.
“Jemi ulur në tryezën e bisedimeve me Greqinë krejt gjakftohtë duke analizuar një nga një gabimet trashanike që janë bërë në të shkuarën”. I konsideroj të tilla, pasi nuk kemi asnjë indicie se Dora Bakojanis i ka vënë revolverin në ballë Lulzim Bashës për të arritur marrëveshjen e 2009-s. Nuk kemi as një indicie se disa prej gabimeve trashanike që janë mbartur ndër vite të kenë qenë produkt i presioneve që mund të kenë ardhur nga qarqe apo shtete”‘, deklaroi ministri.
Po punojmë, tha ai, për të shkuar drejt një dokumenti të ri të partneritetit strategjik, i cili do të përcaktojë rrugën mes të cilave do të ndërtohen marrëdhëniet shqiptare greke duke hapur një perspektivë të re sidomos për bashkëpunimin ekonomik e më gjerë.