Ekonomia

Biznesi, gjobat e reja që zbatohen nga 12 nëntori

Do të ndëshkohesh me 500 mijë lekë gjobë nëse nuk deklaron punonjësit, nuk deklaron pagën reale apo dhe nuk deklaron adresën në rast ndryshimesh. Këto janë vetëm disa nga gjobat e 10-fishuara me ndryshimet e bëra në ligjin “Për procedurat tatimore” i cili hyn në fuqi pas 15 ditësh. Ndryshimet ligjore, të cilat kaluan në heshtje nga Presidenti i Republikës, Bujar Nishani janë bërë dje publike në Fletoren Zyrtare. Mbi bazën e këtyre ndryshimeve ligjore të kundërshtuara gjatë nga biznesi, përcaktohet gjithashtu se tatimorëve iu lind e drejta të konfiskojnë deri në 50 % të xhiros nëse biznesi nuk ka shlyer detyrimet ndaj shtetit. Ndërkohë që shkon në 10 milionë lekë gjoba për tregtarët e shumicës, të cilët tregtojnë mallin pa dokumente tatimore.

Masat e reja

Ndryshimet ligjore të miratuara nga qeveria e më pas nga Kuvendi përcaktojnë rregulla shumë të ashpra për bizneset që shkelin procedurat tatimore. Mbi bazën e këtyre ndryshimeve, çdo tatimpagues, i cili konstatohet se kryen veprimtari në adresa të padeklaruara, për të cilat nuk ka kryer përditësimin e të dhënave, por mallrat që mban në ruajtje, përdor apo transporton janë të shoqëruara me dokumente tatimore, dënohet me gjobë prej 500 mijë lekësh. Ndërkohë që administratës tatimore i lind e drejta që të konfiskojë 50 % të xhiros nëse biznesi nuk ka paguar detyrimet.

“Në funksion të mbledhjes së detyrimit tatimor të papaguar të tatimpaguesit, administrata tatimore mund të angazhojë strukturat e saj për të verifikuar dhe monitoruar në vend aktivitetin tregtar të tatimpaguesit, me qëllim konfiskimin në fund të çdo dite të një shume jo më pak se 50 për qind të qarkullimit të realizuar, por jo më shumë se detyrimi tatimor, për të cilin ka filluar procedura e mbledhjes me forcë të detyrimeve tatimore, për llogari të detyrimeve tatimore të pashlyera të tatimpaguesit”, thuhet në ndryshimet e bëra në nenit 89 të ligjit. Ndërkohë që mospagimi i kësteve të tatimit mbi fitimin dhe tatimi i thjeshtuar mbi fitimin dënohet me gjobë në masën 15 për qind të shumës së këstit për t’u paguar. Një tjetër gjobë, e 10-fishuar është edhe ndaj atyre bizneseve që mbajnë punonjës të në zezë.

“Nëse nga verifikimi dhe kontrolli në vendndodhjen e biznesit rezulton se tatimpaguesi nuk ka deklaruar në organin tatimor çdo të punësuar rishtazi, të paktën një ditë kalendarike përpara fillimit të punës, përveç detyrimit për pagimin e shumës së detyrimeve tatimore dhe kontributeve të sigurimeve shoqërore e shëndetësore, të llogaritura nga data e konstatimit, dënohet me gjobë prej 500 mijë lekësh”, – thuhet në ndryshimet e bëra në nenin 119. Në rast se kjo shkelje përsëritet bëhet kallëzimin penal për tatimpaguesin. Një tjetër gjobë 500 mijë lekëshe është edhe për ato biznese që nuk deklarojnë pagën reale për punonjësit e tyre. Ndërkohë që tatimpaguesi, që shet mallra me shumicë, që mban në ruajtje, përdor apo transporton mallra të pashoqëruara me dokumente tatimore, dënohet me gjobë në masën 10 milionë lekë, konfiskim të të gjithë sasisë së mallit, që mbahej në ruajtje, përdorej apo transportohej, i pashoqëruar me dokumente tatimore dhe rivlerësim tatimor të të ardhurave për një periudhë 6-mujore. Me kërkesë të tatimpaguesit, masa e konfiskimit zëvendësohet me pagesën e menjëhershme të një gjobe, të barabartë me vlerën e tregut për të njëjtin mall.

Dhjetëfishohet gjoba edhe për bizneset që nuk lëshojnë kuponin tatimor, nga 50 mijë në 500 mijë lekë. Ndërsa moslëshimi i faturës tatimore, dëftesës tatimore apo і faturës tatimore me TVSH dënohet me gjobë të barabartë me 100 për qind të detyrimit tatimor, të padeklaruar ose të papaguar, si rezultat i moslëshimit të faturës, përveç detyrimeve tatimore dhe interesave, që llogariten dhe paguhen në përputhje me dispozitat e këtij ligji e të ligjeve specifike tatimore. Ndërsa moslëshimi i faturës tatimore, dëftesës tatimore apo і faturës tatimore me TVSH nga tatimpaguesi që shet mallra me shumicë dënohet me gjobë të barabartë me 100 për qind të detyrimit tatimor, të padeklaruar ose të papaguar, si rezultat i moslëshimit të faturës, përveç detyrimeve tatimore e interesave, që llogariten dhe paguhen në përputhje me dispozitat e këtij ligji e të ligjeve specifike tatimore, me gjobë në masën 10 milionë lekë dhe rivlerësim të të ardhurave për një periudhë 6-mujore.

Nga 1 prilli, shumica nuk do të shesë te individët

Deri në datën 31.3.2016, për të gjithë tatimpaguesit që kryejnë shitje me shumicë të mallrave te blerës, joushtrues të një veprimtarie tregtare (individë), shitjet me kupon tatimor, të lëshuar nga pajisja fiskale, nuk duhet të tejkalojnë 10 për qind të vlerës së tatueshme të mallrave të shitura në të njëjtën periudhë tatimore të muajit të vitit të kaluar, pa përfshirë TVSH-në. Nga data 1 prill 2016, tatimpaguesit, që kryejnë shitje me shumicë të mallrave, nuk lejohen të shesin me kupon tatimor te blerës, joushtrues të një veprimtarie tregtare (individë).

Ndryshimet në ligj, ja si do të ndëshkohen kundërvajtësit

Mosdeklarimi i adresës së ndryshuar, gjobë 500 mijë lekë

Çdo tatimpagues, i cili konstatohet se kryen veprimtari në adresa të padeklaruara, për të cilat nuk ka kryer përditësimin e të dhënave, në përputhje me nenin 43 të këtij ligji, por mallrat që mban në ruajtje, përdor apo transporton janë të shoqëruara me dokumente tatimore, dënohet me gjobë prej 500 mijë lekësh.

E drejta e blerësit për të mos paguar nëse nuk merr kupon

Çdo blerësi, person fizik, juridik ose individ, i lind e drejta të mos kryejë transaksionin për vlerën e mallit ose shërbimit të ofruar, nëse shitësi nuk lëshon faturën tatimore ose kuponin tatimor, në përputhje me këtë ligj. Për këtë qëllim, tatimpaguesi detyrohet të afishojë në një vend të dukshëm, në adresën ku kryen veprimtarinë, një njoftim për blerësin në përputhje me këtë nen.

Konfiskim deri në 50 për qind të xhiros nëse ke detyrime

Në funksion të mbledhjes së detyrimit tatimor të papaguar të tatimpaguesit, administrata tatimore mund të angazhojë strukturat e saj për të verifikuar dhe monitoruar në vend aktivitetin tregtar të tatimpaguesit, me qëllim konfiskimin në fund të çdo dite të një shume jo më pak se 50 për qind të qarkullimit të realizuar, por jo më shumë se detyrimi tatimor, për të cilin ka filluar procedura e mbledhjes me forcë të detyrimeve tatimore, për llogari të detyrimeve tatimore të pashlyera të tatimpaguesit. Pagesa e shumës së qarkullimit të sekuestruar kalohet në llogarinë bankare të administratës tatimore ditën e nesërme. Tatimpaguesi, për të cilin administrata tatimore ka filluar mbledhjen me forcë të detyrimeve tatimore të papaguara, nuk mund të kryejë transferim të shumave të parave nga llogaria e tij apo të shesë\të transferojë aktivet ose kapitalet e shoqërisë, me përjashtim të rasteve kur, nëpërmjet shitjes\transferimit të aktiveve, synohet shlyerja në masën 100 për qind e detyrimit tatimor të papaguar.

Mospagimi i kësteve të tatimit mbi fitimin, gjobë 15 për qind të këstit

Mospagimi në afat i kësteve paraprake të tatimit mbi fitimin ose kësteve paraprake të tatimit të thjeshtuar mbi fitimin, sipas nenit 30, të ligjit nr. 8438, datë 28.12.1998, “Për tatimin mbi të ardhurat”, të ndryshuar, dënohet me gjobë në masën 15 për qind të shumës së këstit për t’u paguar.

Mosdeklarimi i punonjësve, gjobë 500 mijë lekë

Nëse nga verifikimi dhe kontrolli në vendndodhjen e biznesit rezulton se tatimpaguesi nuk ka deklaruar në organin tatimor çdo të punësuar rishtazi, të paktën një ditë kalendarike përpara fillimit të punës, përveç detyrimit për pagimin e shumës së detyrimeve tatimore dhe kontributeve të sigurimeve shoqërore e shëndetësore, të llogaritura nga data e konstatimit, dënohet me gjobë prej 500 mijë lekësh. Për çdo konstatim të përsëritur bëhet kallëzimin penal për tatimpaguesin.

Tregtimi me shumicë pa dokumentet tatimore, gjobë 10 milionë lekë

Tatimpaguesi, që shet mallra me shumicë, që mban në ruajtje, përdor apo transporton mallra të pashoqëruara me dokumente tatimore, dënohet me gjobë në masën 10 milionë lekë, konfiskim të të gjithë sasisë së mallit, që mbahej në ruajtje, përdorej apo transportohej, i pashoqëruar me dokumente tatimore dhe rivlerësim tatimor të të ardhurave për një periudhë 6-mujore. Me kërkesë të tatimpaguesit, masa e konfiskimit zëvendësohet me pagesën e menjë-hershme të një gjobe, të barabartë me vlerën e tregut për të njëjtin mall. Për çdo konstatim të përsëritur bëhet kallëzimin penal për tatimpaguesin.

Moslëshimi i kuponit tatimor, gjobë 500 mijë lekë

Nëse nuk lëshon kupon tatimor për të dokumentuar qarkullimin e realizuar të mallrave apo të shërbimeve: – Për çdo konstatim (verifikim) të kryer, me gjobë të barabartë me 100 për qind të detyrimit tatimor, të padeklaruar ose të papaguar, si rezultat i moslëshimit të faturës, përveç detyrimeve tatimore dhe interesave, që llogariten e paguhen në përputhje me dispozitat e këtij ligji dhe të ligjeve specifike tatimore, me gjobë në masën 500 mijë lekë dhe rivlerësim tatimor të të ardhurave për 6 muajt e fundit

Dënimet për mosngarkim ose ngarkim të pasaktë të numrave IMEI te Baza e të Dhënave

Çdo tatimpagues që nuk ngarkon të dhënat e numrave IMEI të telefonave celularë ose ngarkon informacion të pasaktë dënohet me një gjobë prej 30 mijë lekësh për çdo mosngarkim /ngarkim jo të saktë.

Mosafishimi i çmimeve të shitjes

Mosafishimi i çmimeve të shitjes së mallrave apo shërbimeve dënohet me gjobë 500 mijë lekë.

 

Suela Topi

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button