Biznesi: Shqipëria të jetë më konkurruese; të rishikohen politikat e taksave
Presidenti i Dhomës Amerikane të Tregtisë, Marc Crawford, deklaron se Shqipëria duhet të rishikojë politikën e taksave, për të mos humbur garën e investimeve me vendet e rajonit.
“Nëse shikoni Maqedoninë, ata janë shumë agresivë në thirrjen ndaj investitorëve, me taksa të ulëta dhe me subvencione. Ata kanë marrë së fundmi një investim, që është miratuar nga një prej kompanive më të mëdha në Amerikë, “Leart”, pas të cilit parashikohen të punësohen 2 mijë njerëz në Tetovë dhe disa qindra në Gostivar, të dyja këto zona shqipfolëse. Kështu që, përse të mos vinin këtu?”, tha presidenti i “AmCham Albania”, Marc Crawford.
Sipas tij, pjesa dërrmuese e investimeve të huaja në Shqipëri janë në banka apo pasuri natyrore, çka tregon se vendi nuk është konkurrues për të thithur kapitalin e huaj.
“Nëse shohim se sa shumë kompani prodhimi, si “Leart” që ka shkuar atje për prodhimin e veshjeve të sediljeve të makinës, kemi këtu në Shqipëri, atëherë e kuptojmë shumë mirë sesa konkurruese është Shqipëria”, shprehet më tej Marc Crawford.
Ndaj, në paketën e re fiskale, Dhoma Amerikane e Tregtisë i ka kërkuar qeverisë të ulë veçanërisht dy taksa.
“Ne jemi duke diskutuar për tatimin mbi fitimin dhe tatimin mbi të ardhurat, ndër më kryesoret që duhen ulur”, sqaron presidenti Marc Crawford.
Sipas kreut të Dhomës Amerikane, lehtësimi i taksave, përveç se do të sillte më shumë investime, do të ulte edhe informalitetin në ekonomi.