Blegtoria në Shkodër, specialisti Brahja: Shqetësim mungesa e fuqisë punëtore
Blegtoria në qarkun e Shkodrës vijon të mbetet një nga sektorët kryesorë të ekonomisë bujqësore, por përballet me sfida të vazhdueshme.
Sipas specialistëve të bujqësisë, fermerët kanë nisur që në këtë periudhë përgatitjet për sigurimin e bazës materiale për dimrin, duke punuar për grumbullimin e foragjereve dhe rezervave ushqimore për bagëtinë.
“Blegtoria ka një punë gjithëvjetore duke siguruar bazë ushqimore jo vetëm për momentin por për të gjithë vitin”, u shpreh Sherfi Brahja, Specialist, AREB Shkodër.
Megjithatë, një ndër problemet më të mëdha mbetet mungesa e fuqisë punëtore. Brahja thotë se blegtoria sot mbahet kryesisht nga moshat e treta. Kjo situatë ka ndikuar drejtpërdrejt edhe në reduktimin e sipërfaqeve të mbjella, ku një pjesë e konsiderueshme e tokave bujqësore po mbeten djerrë për shkak të mungesës së punëtorëve.
“Problem është fuqia punëtore dhe mungesa e saj ka bërë që shumë toka të mbeten djerrë”, tha ai.
Pavarësisht vështirësive, fermerët vijojnë të mbajnë gjallë traditën e blegtorisë në Shkodër, por pa ndërhyrje konkrete për të zgjidhur mungesën e fuqisë punëtore dhe për të nxitur punësimin në zonat rurale, ky sektor rrezikon të tkurret edhe më tej nga viti në vit.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.