Blendi Klosi prezantohet si ministër: Në fokus do të kem punësimin
Ministri i ri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Blendi Klosi, në takimin e tij të parë me stafin e institucionit tha se “punësimi do të jetë në fokus të punës së tij”.
“Kjo ministri do të vazhdojë ta ketë fokusin e saj tek puna. Shqipëria ndodhet në një situatë ku emergjenca kryesore është punësimi i të rinjve. Ndonëse dikasteri nuk ka të bëjë shumë me problemet ekonomike, ai do të jetë lidership në punësimin, përmes krijimit të raporteve me biznesin”, u shpreh ministri Klosi, gjatë ceremonisë së prezantimit të tij në krye të kësaj ministrie.
Duke vlerësuar “punën e palodhur dhe largpamëse” të paraardhësit Erjon Veliaj për të transformuar shumë nga fushat e këtij institucioni, Klosi u angazhua se do të vijojë me reformat e nisura “për të mbyllur shumë probleme që shteti shqiptar ka vite që i mban në kurriz dhe që ende nuk kanë gjetur zgjidhje”.
“Por, falë përkushtimit dhe vëmendjes tuaj ato janë në rrugën e zgjidhjes”, shtoi ministri.
Ai renditi një sërë çështjesh të cilat do të vijojnë të jenë prioritet i tij, duke nisur me problemin e dëmshpërblimit të ish-të përndjekurve, të dhënies së ndihmës ekonomike për shtresat në nevojë dhe për personat me aftësi të kufizuar, ndërsa u ndal tek angazhimi i ministrisë për arsimin profesional.
“Arsimi profesional ka marrë një hov cilësor dhe po shtrihet në të gjithë vendin, por na mbetet shumë për të bërë në drejtim të rritjes së cilësisë dhe efektivitetit”, theksoi ai.
Blendi Klosi u emërua në postin e ministrit të ri të Mirëqënies Sociale dhe Rinisë, pas dorëheqjes nga detyra të Erjon Veliaj, që kandidon për kryetar të bashkisë Tiranë./