Bota

Blinken javën e ardhshme para Kongresit lidhur me tërheqjen nga Afganistani

Ligjvënësit republikanë të opozitës dhe disa demokratë të partisë së Presidentit Joe Biden kanë kritikuar ashpër mënyrën se si u zhvillua tërheqja e trupave, shtetasve amerikanë dhe mijëra afganëve që punuan për forcat amerikane si përkthyes dhe këshilltarë gjatë luftës.

Kritikat ishin veçanërisht të forta pas sulmit vetëvrasës në aeroportin e Kabulit që la të vrarë 13 ushtarë amerikanë në ditët e fundit të tërheqjes. Dega e Shtetit Islamik në Afganistan mori përgjegjësinë për sulmin.

Zoti Blinken pranoi të dëshmojë para Komisionit të Senatit për Marrëdhënie me Jashtë të martën e ardhshme, megjithëse ka gjasa që edhe komisione të tjera të Kongresit të hapin hetime mbi tërheqjen.

Tërheqja zyrtare përfundoi më 31 gusht, por rreth 100 amerikanë mbeten ende në Afganistan dhe zyrtarët amerikanë janë zotuar t’i ndihmojnë të dalin nëse duan të largohen. Mijëra afganë po kërkojnë gjithashtu të vendosen në Shtetet e Bashkuara ose vende të tjera për t’i shpëtuar jetës nën talebanët që morën kontrollin e vendit.

Anketat me amerikanë tregojnë përkrahje të gjerë për vendimin e Presidentit Biden për t’i dhënë fund “luftës së pafundme” në Afganistan, megjithëse amerikanët shprehen të zhgënjyer nga mënyra si u krye tërheqja.

Zoti Blinken, shefi i diplomacisë amerirkane, ka të ngjarë të përballet me pyetje të vështira si p.sh. përse SHBA nuk filluan evakuimin e qytetarëve amerikanë më herët. Ligjvënësit gjithashtu janë shprehur me kritika ndaj agjencive të zbulimit pasi nuk arritën të parashikojnë rënien e shpejtë të Afganistanit në duart e talebanëve dhe kapitullimin e qeverisjes së mëparshme që përfundoi me arratisjen e Presidentit Ashraf Ghani në Emiratet e Bashkuara Arabe.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button