“Bloomberg”: Zelensky: Witkoff dhe Kushner kërkojnë marrëveshje paqeje me Ukrainën, deri në janar
– Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky deklaroi se të dërguarit e posaçëm të presidentit amerikan Donald Trump, Steve Witkoff dhe Jared Kushner, synojnë të arrijnë një marrëveshje paqeje për përfundimin e luftës në Ukrainë, sa më shpejt të jetë e mundur, mundësisht deri në janar.
Në një intervistë për agjencinë amerikane të lajmeve “Bloomberg”, Zelensky tha se ekziston vullneti për të përshpejtuar negociatat dhe se si pala ukrainase, ashtu edhe ajo ruse, janë të vetëdijshme për këtë objektiv dhe për koston që mund të ketë një marrëveshje e tillë.
Megjithatë, kreu i shtetit ukrainas, theksoi se Ukraina e dëshiron sinqerisht paqen, por nuk është e gatshme ta arrijë atë duke sakrifikuar interesat dhe sovranitetin e saj.
“Edhe ne e dëshirojmë vërtet paqen, por jo në kurriz të Ukrainës”, u shpreh Zelensky.
Ai paralajmëroi se negociatat mund ta vendosin Ukrainën përballë kërkesave për të bërë lëshime të konsiderueshme, ndërsa theksoi se një marrëveshje nuk mund të arrihet nëse barra e saj bie vetëm mbi Kievin.
Zelensky bëri të ditur se, nëse negociatat nuk rezultojnë me një marrëveshje të pranueshme për Ukrainën, vendi i tij do t’i kërkojë Shteteve të Bashkuara të Ametikës, një paketë të konsiderueshme ndihme ushtarake dhe vendosjen e sanksioneve më të ashpra ndaj Rusisë.
Sipas tij, mbështetja ushtarake dhe presioni ekonomik duhet të jenë të mjaftueshme, për t’i dërguar Moskës një mesazh të qartë se është koha për t’u ulur në tryezën e negociatave dhe për t’i dhënë fund luftës.
Kreu i shtetit ukrainas shprehu gjithashtu, gatishmërinë për negociata të reja me përfshirjen e Ukrainës, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Evropës dhe Rusisë, me synimin për të gjetur një zgjidhje që garanton paqe të qëndrueshme.
Deklarata e tij vjen në një moment kur administrata amerikane, po shton përpjekjet për të arritur një marrëveshje mes Moskës dhe Kievit deri në fillim të vitit 2027.
Megjithatë, për Ukrainën, kushtet e marrëveshjes dhe garancitë e sigurisë, mbeten thelbësore përpara çdo vendimi për përfundimin e luftës. /



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.