Blushi: Unë dhe Mimoza Hafizi nuk jemi më deputetë të PS
Ben Blushi ka bërë publik vendimin e tij dhe të deputetes Mimoza Hafizi që të mos jenë më deputetë të Partisë Socialiste që ai e quan si “Rilindja”.
Në fillim të fjalës së tij në Kuvend, Blushi tha se “Unë dhe Mimoza Hafizi nuk jemi më deputetë të Rilindjes”.
Fjala në Kuvend
Dua të bëj me dije një vendim që kam marrë me znj.Hafizi. Ne nuk do të jemi më deputetë të Rilindjes. Ne jemi dy rilindas të çliruar nga e drejta e Rilindjes për të qenë e padrejtë. Nëse doni të them një arsye pse, ne kemi vendosur të largohemi nga një grup politik, nga një parti që nuk do zgjedhje. Për t’ju kujtuar se në krye të këtij viti, kjo parti nuk dha mundësi për zgjedhje, një akt pushtimi ky.
Besoj se është dita sot për të kujtuar se qeveria vendosi çuditërisht atë që do ta drejtonte sikur të ishte një çështje dhe jo një njeri, ndërkohë që kjo parti u thotë shqiptarëve se nuk kanë të drejtë për referendum.
As unë, as Hafizi, nuk jemi të parët, as të fundit që dalim nga një ndërmarrje private që ka vendosur përveç pasurisë të vet të mos respektojë asnjë tjetër.
PS nuk ka qënë i vetmi, as i fundit aset publik që u privatizua pas 20 vjet. Ky privatizim ishte një arsye për të ikur me vrap, sepse mendojmë se partia duhet të jetë publike. Duhet të jetë për të mbështetur të varfrit, të dobtit.