Blushi: Vështirë t’i japësh dorën Vuçiçit tani
“Kam shumë vjet që shoh futboll dhe nuk kisha parë ngjarje më të shëmtuar se sa ajo e Beogradit”.
Deputeti i mazhorancës Ben Blushi, anëtar i Komisionit parlamentar të Jashtëm, duke e cilësuar të paprecedent atë që ndodhi në Beograd kundër kombëtares sonë, argumenton se për herë të parë u pa që dhuna u frymëzua nga një shtet i tërë.
“Shteti lejoi hyrjen e tifozëve në fushë dhe për më tepër, pas ndeshjes, deklaratat e autoriteteve serbe ishin fatkeqe. Ata ende nuk e kanë kuptuar që, në atë fushë nuk ndahej çështja mes Serbisë dhe Kosovës, lufta e Kosovës ka mbaruar dhe populli serb, por edhe drejtuesit e tyre, ende nuk po e kuptojnë që historia e Ballkanit nuk mund të shkruhet më. Nuk ishte ajo fushë futbolli për të nxjerrë inate apo mllëfe nacionaliste, siç ndodhi”, u shpreh zoti Blushi.
A është kërcënuese situata tashmë, duke qenë se kemi parë disa incidente si ai i Malit të Zi?
“Nuk mendoj se është situata për t’u alarmuar. Për fat të mirë autoritetet shqiptare e kanë peshuar me qetësi situatën. Këto janë tensione dhe emocione të momentit. Sigurisht që në një kontekst global, duke parë ngjarjet që po ndodhin në Lindjen e Mesme, Siri e Irak, ngjarjet në Ukrainë, mund të ketë mund të ketë faktorë nga jashtë Ballkanit por edhe brenda tij, që të vendosin diku ndonjë kunjë shkrepse për zjarre të vogla”, u shpreh deputeti socialist Ben Blushi.
Zoti Blushi, këto ngjarje në Beograd ndodhin vetëm 1 javë përpara një vizite të paralajmëruar të zotit Rama në Serbi. Në opinionin tuaj, duhet të rishihet kjo vizitë, apo axhenda e kryeministrit nuk duhet të ndalet nga këto incidente?
“Dua të them se në ditët e fundit qeveria shqiptare ka reaguar me gjakftohtësi dhe do të doja që të vazhdonte kështu deri sa kjo çështje të shuhet dhe të marrë përmasat që duhet të kishte. Si një incident sportiv, i cili mori përmasa politike fatkeqësisht. Sa i përket vizitës, kjo gjë duhet të gjykohet nga kryeministri, sepse ai ka gjithë informacionin e duhur. Sigurisht kanalet diplomatike janë duke funksionuar. Shtetet aleate të NATO-s apo Këshilli Europian kanë peshën e tyre në raportet Shqipëri-Serbi dhe me siguri do të thonë fjalën e tyre, por padyshim si gjithë qytetarët e tjerë të Shqipërisë, kushdo prej nesh do të kishte shmangur dhënien e dorës ndaj kryeministrit serb në këto kushte, apo me Ivica Daçiçin, i cili ka bërë deklarata të fundit ksenofobe, raciste, duke mos marrë asnjë përgjegjësi për atë që ndodhi në Beograd. Diplomacia do të bëjë punën e vet, kryeministri do ta vlerësojë vet nëse duhet apo jo të shkojë në Beograd, por kam përshtypjen se dhënia e dorës Vuçiçit apo Daçiçit në këto kushte do të lëndonte shumë shqiptarët, fatkeqësisht”, deklaroi Blushi.