BM – 1 364 raste me COVID-19 në një javë, në qarkullim varianti XFG
– Rastet e COVID-19 janë rritur në Angli gjatë javëve të fundit, ndërsa varianti XFG, i njohur edhe si “Stratus” vazhdon të qarkullojë, raportoi “The Independent”.
Sipas të dhënave të Agjencisë së Sigurisë Shëndetësore të Britanisë së Madhe (UKHSA), deri më 23 shtator, u raportuan 1 364 raste të COVID-19 në një javë, 303 më shumë se në shtatë ditët paraardhëse, duke shënuar një rritje prej 28,6%.
Edhe shtrimet në spital janë rritur. Në javën që përfundoi më 20 shtator, norma e shtrimeve për COVID-19 në Angli, u rrit në 1,20 për 100 mijë banorë, nga 0,81 për 100 mijë një javë më parë.
Të dhënat bazohen në raportimet nga 93 truste të Shërbimit Kombëtar Shëndetësor britanik (NHS).
Rritja e rasteve është vërejtur në një periudhë kur infeksionet respiratore priren të shtohen me ardhjen e vjeshtës, për shkak të rikthimit të njerëzve në ambiente të mbyllura dhe të fillimit të vitit të ri shkollor.
Një nga variantet që po monitorohet është XFG, i njohur gjerësisht si “Stratus”.
Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) e klasifikon XFG si variant nën monitorim, jo si një variant që paraqet aktualisht një rrezik të shtuar për shëndetin publik.
Sipas OBSH-së, të dhënat në dispozicion nuk tregojnë se XFG shkakton sëmundje më të rëndë ose më shumë vdekje se variantet e tjera në qarkullim.
Në Angli, UKHSA ka raportuar se XFG dhe nënlinjat e tij, janë ndër variantet që qarkullojnë aktualisht.
Në një periudhë të analizuar nga agjencia, XFG.14.8 përbënte 38,1% të mostrave të sekuencuara, ndërsa XFG 4,8%.
Ekspertët kanë theksuar se rritja aktuale e rasteve, nuk përbën arsye për alarm të veçantë, pasi nivelet e përgjithshme të COVID-19 mbeten të ulëta dhe nuk ka prova se variantet që qarkullojnë në BM, shkaktojnë sëmundje më të rëndë.
Megjithatë, COVID-19 mund të shkaktojë ende sëmundje serioze te personat më të rrezikuar.
Simptomat e lidhura me XFG janë të ngjashme me ato të varianteve të tjera të fundit të koronavirusit dhe mund të përfshijnë dhimbje fyti, kollë, temperaturë, lodhje dhe ngjirje të zërit.
UKHSA vijon të monitorojë përhapjen e varianteve dhe rekomandon që personat që janë të përshtatshëm për vaksinimin e vjeshtës kundër COVID-19 ta kryejnë vaksinën, veçanërisht grupet më të rrezikuara. /



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.