BM – Banka e Anglisë ngre alarmin, hipotekat dhe energjia rëndojnë buxhetet e miliona familjeve
LONDËR, 26 nëntor /ATSH-ATSH/ – Banka e Anglisë ka ngritur alarmin për rritjen e kostos së kredive për shtëpi, duke paralajmëruar se miliona familje britanike, mund të përballen me këste më të larta të hipotekave gjatë viteve të ardhshme.
Shqetësimi është bërë publik në raportin e fundit për Stabilitetin Financiar, të përgatitur nga Komiteti i Politikës Financiare të Bankës së Anglisë dhe të prezantuar nga guvernatori Andrew Bailey.
Sipas raportit, rritja e normave të interesit në tregjet financiare, ka sjellë shtrenjtimin e kredive për banesa.
Nga rreth 9 milionë kredi hipotekore për banesat e zotëruara nga individët, afërsisht 7 milionë pritet të rifinancohen nga qershori 2026 deri në dhjetor 2029.
Rreth 6,5 milionë prej këtyre kredive, parashikohet të kenë këste më të larta mujore pas rifinancimit.
Për një huamarrës tipik, që do të kalojë në një kontratë të re gjatë tre viteve të ardhshme, rritja mesatare e parashikuar e këstit mujor është rreth 100 paund.
Situata është veçanërisht shqetësuese për familjet, që kanë përfituar më parë nga norma interesi shumë të ulëta dhe që tani duhet të lidhin kontrata të reja me kushte më të shtrenjta.
Një tjetër faktor që rëndon mbi ekonominë familjare, është rritja e çmimeve të energjisë.
Autoriteti britanik i Rregullimit të Energjisë, Ofgem, njoftoi se kufiri i çmimeve për energjinë elektrike dhe gazin, do të rritet me 26% nga 1 janari deri më 31 mars 2027.
Për një familje tipike që paguan me debitim direkt, kjo do të thotë një faturë vjetore të llogaritur prej 2,166 paundësh, nga 1,723 paundë në periudhën aktuale.
Rritja lidhet kryesisht me shtrenjtimin e gazit në tregjet ndërkombëtare.
Ndërkohë, Banka e Anglisë e ka rritur normën bazë të interesit në 4%, në përpjekje për të frenuar presionet inflacioniste.
Inflacioni britanik arriti në 3,5% në shtator dhe banka parashikon që ai të afrohet në 5% deri në mesin e vitit 2027, përpara se të fillojë të bjerë.
Raporti ngre gjithashtu shqetësime për rritjen e borxhit publik britanik, pasigurinë në tregjet financiare dhe ndikimin që inteligjenca artificiale, mund të ketë në aktivitetin ekonomik dhe punësimin.
Një tjetër rrezik lidhet me varësinë e institucioneve financiare dhe bizneseve britanike, nga një numër i kufizuar kompanish të mëdha amerikane, që ofrojnë shërbime teknologjike dhe kompjuterike në distancë, përfshirë “Google Cloud” dhe “Microsoft”.
Sipas Bankës së Anglisë, ndërprerjet në këto shërbime, mund të prekin njëkohësisht shumë institucione dhe të krijojnë rreziqe për stabilitetin financiar.
Megjithatë, guvernatori, Andrew Bailey ka lënë të hapur mundësinë e ngadalësimit të inflacionit, nëse çmimet e energjisë dhe veçanërisht të hidrokarbureve, mbeten në nivelet e javëve të fundit. /



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.