FOKUS – Bursat evropiane në rritje, shtrenjtohen nafta dhe gazi
ZYRIH, 26 nëntor /ATSH-ANSA/ – Bursat kryesore evropiane regjistruan rritje gjatë ditës së sotme, duke ndjekur ecurinë pozitive të tregjeve aziatike, ndërsa investitorët rikthyen interesin për aksionet e teknologjisë dhe kompanitë e lidhura me inteligjencën artificiale.
Indeksi pan-evropian “Stoxx 600” u rrit me 1,6%, ndërsa në krye të bursave ishte Milano, me një fitim prej 2,1%.
Rritje regjistruan gjithashtu Frankfurti dhe Madridi me nga 1,8%, Parisi me 1,7% dhe Londra me 1,6%.
Rikthimi i interesit për investimet në inteligjencën artificiale, ndihmoi në përmirësimin e klimës në tregje, pas shqetësimeve të ditëve të mëparshme lidhur me kompaninë amerikane “Nvidia” dhe qëndrueshmërinë e investimeve të mëdha në këtë sektor.
Aksionet e kompanive të teknologjisë u rritën me 2,8%, ndërsa sektori bankar shënoi një fitim prej 2,4%.
Rritje regjistruan gjithashtu kompanitë e automobilave me 2,6% dhe sektori i luksit me 2%.
Në sektorin bankar, vëmendja ishte përqendruar te “UniCredit”, aksionet e së cilës u rritën me 1,9%, pasi banka mori miratimin e fundit për të vijuar procedurat, lidhur me operacionin e saj ndaj gjigantit gjerman “Commerzbank”, aksionet e të cilit ranë me 3%.
Në bursën e Milanos, performancë të mirë regjistruan “Prysmian”, me rritje 5,6%, dhe “Stellantis”, me 5,5%.
Aksionet e “STMicroelectronics” u rritën me 4,8%, ndërsa “Technoprobe” me 3,7%.
Në sektorin bankar italian, “Banco BPM” shënoi rritje prej 3,3%, BPER me 2,6%, MPS me 2,5% dhe “Intesa Sanpaolo” me 2,1%.
Në të kundërt, aksionet e kompanisë së modës luksoze “Moncler” regjistruan një rënie të lehtë prej 0,1%.
Në tregjet e energjisë, nafta dhe gazi vijuan të shtrenjtohen.
Nafta bruto amerikane WTI u rrit me 1%, duke arritur në 84,59 dollarë për fuçi, ndërsa nafta “Brent” u tregtua me 95,17 dollarë, një rritje prej 0,6%.
Çmimi i gazit natyror në Amsterdam arriti në 89,24 euro për megavat-orë, duke shënuar një rritje prej 2,2% gjatë sesionit.
Aksionet e kompanive të energjisë u rritën me 1,1%, ndërsa sektori i shërbimeve publike regjistroi një fitim prej 0,7%.
Në tregun valutor, euro u tregtua me 1,0969 dollarë. Ndërkohë, titujt shtetërorë shënuan lëvizje të kufizuara.
Tregtimi në bursat amerikane u pezullua për shkak të festës së Falënderimeve, duke kufizuar sot aktivitetin e investitorëve amerikanë. /



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.