BM – Do të vazhdojmë presionin ndaj Rusisë pas marrëveshjes Trump-Putin për naftën
LONDËR, 10 tetor /ATSH – AA/ – Qeveria britanike është zotuar se do të vazhdojë presionin ndaj Rusisë pas marrëveshjes së njoftuar së fundmi për naftën dizel mes presidentit amerikan, Donald Trump dhe presidentit rus, Vladimir Putin.
“Qëndrimi i Mbretërisë së Bashkuar nuk mund të ishte më i qartë. Ne do të vazhdojmë të punojmë ngushtë me partnerët ndërkombëtarë për të siguruar që Ukraina të ketë mbështetjen ushtarake dhe financiare që i nevojitet për t’u mbrojtur. Gjithashtu, do të vazhdojmë të ushtrojmë presion ndaj Rusisë”, tha një zëdhënës i qeverisë britanike në një deklaratë me shkrim.
Zëdhënësi theksoi se Londra do të vazhdojë të ushtrojë presion përmes “regjimit më të ashpër të sanksioneve” që ka vendosur ndonjëherë, duke rritur koston e “agresionit të Putinit” dhe duke mbështetur përpjekjet për sigurimin e paqes.
“Ukraina ka dëshmuar vazhdimisht se është serioze në lidhje me paqen, por Rusia ka refuzuar vazhdimisht armëpushimet e plota dhe të pjesshme, ndërsa vazhdon sulmet ndaj civilëve dhe infrastrukturës energjetike të Ukrainës”, thuhet më tej në deklaratë.
Zëdhënësi theksoi gjithashtu angazhimin e Mbretërisë së Bashkuar për të mbështetur Ukrainën “për aq kohë sa të jetë e nevojshme” dhe për të punuar me partnerët për të arritur një paqe të qëndrueshme.
Dje, Putin dhe Trump biseduan në telefon. Trump e përshkroi bisedën si një “diskutim shumë të suksesshëm”.
Në një postim në platformën e tij Truth Social, Trump tha se bisedimet rezultuan në një marrëveshje që Rusia të furnizojë “menjëherë” tregjet amerikane dhe globale me më shumë se 300.000 tonë naftë dizel.
Ai tha se në nëntor do të furnizohen edhe 500.000 tonë të tjera, të ndjekura nga 1 milion ton dhe 3 milionë tonë shtesë “brenda një periudhe të shkurtër”, në varësi të gjendjes së rafinerive ruse të naftës dizel.
Putin tha se furnizimi i tregjeve amerikane dhe globale me naftë dizel nga Rusia do të ishte në dobi të ekonomisë botërore. Ai shtoi se të dy liderët diskutuan sektorin global të energjisë, perspektivat për zgjidhjen e luftës në Ukrainë, situatën në Iran dhe marrëdhëniet dypalëshe.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.