BM – Londra vendos sanksione të reja ndaj rebelëve Houthi dhe katër zyrtarëve të lartë
LONDËR, 24 nëntor /ATSH-DPA/ – Britania e Madhe ka njoftuar vendosjen e sanksioneve të reja ndaj grupit militant Houthi, të mbështetur nga Irani, si dhe ndaj katër zyrtarëve të lartë të tij, për shkak të përshkallëzimit të ri të agresionit në Lindjen e Mesme.
Ministria e Jashtme britanike deklaroi se veprimet e papërgjegjshme të rebelëve jemenas në Ngushticën Bab el-Mandeb, një korridor i rëndësishëm për transportin detar, kanë ndikuar në ndërprerjen e zinxhirëve globalë të furnizimit dhe kanë shtuar presionin mbi koston e jetesës për familjet britanike.
Sipas ministrisë, ngrirja e aseteve dhe ndalimi i udhëtimit, do të zbatohen edhe ndaj personave që dyshohet se janë përfshirë në shkelje të rënda të të drejtave të njeriut në Jemen, përfshirë torturimin dhe trajtimin çnjerëzor e poshtërues të të burgosurve.
Sekretari i Jashtëm britanik, Ed Miliband, deklaroi se veprimet e fundit të rebelëve Houthi, të cilët kanë shënjestruar partnerët e Britanisë së Madhe dhe civilë të pafajshëm, janë të papranueshme dhe duhet të mbajnë përgjegjësi.
“Qeveria jonë ka ndërmarrë sot, hapa konkretë për të garantuar që kjo të ndodhë. Nuk do të qëndrojmë duarkryq ndërsa grupe si Houthi, ndërmarrin veprime që rrisin koston e jetesës për qytetarët britanikë dhe përpiqen qëllimisht të minojnë stabilitetin e Lindjes së Mesme”, tha Miliband. /



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.