BM – Princi William në vizitën e parë në Downing Street, në fokus siguria dhe çështjet ndërkombëtare
– Princi i Uellsit, William diskutoi çështjet e mbrojtjes dhe sigurisë me kryeministrin britanik, Andy Burnham, gjatë vizitës së tij të parë zyrtare në rezidencën qeveritare në Downing Street, duke shënuar një tjetër hap në përgatitjen e tij për rolin e ardhshëm si kreu i shtetit, sipas “The Independent”.
Trashëgimtari i fronit britanik, u prit nga kryeministri përpara derës së famshme të zezë të numrit 10 në Downing Street, ku të dy zhvilluan një takim për të diskutuar përparësitë e përbashkëta, përfshirë mbrojtjen e mjedisit dhe luftën kundër të pastrehëve.
Takimi u zhvillua sot në mëngjes dhe zgjati rreth 50 minuta.
Ai u mbajt në studion e rezidencës qeveritare, një ambient më intim në krahasim me sallat zyrtare, që përdoren zakonisht për takimet me liderët e huaj.
Burnham foli për samitin e fundit të Kombeve të Bashkuara për klimën (COP), të mbajtur në Turqi, ndërsa përgëzoi William për organizimin e suksesshëm të ceremonisë së ndarjes së çmimeve mjedisore “Earthshot Prize”, zhvilluar javën e kaluar në Mumbai të Indisë.
Më pas, të dy diskutuan për problemin e të pastrehëve dhe nevojën për gjetjen e zgjidhjeve të qëndrueshme për parandalimin e tij.
Bisedimet vijuan me çështjet e mbrojtjes dhe sigurisë, si dhe me marrëdhëniet me Komonuelthin, organizatën që bashkon Britaninë e Madhe dhe një grup vendesh me lidhje historike me të.
Në përfundim të takimit, zëdhënësja e kryeministrit deklaroi se të dy shprehën dëshirën për t’u takuar sërish në të ardhmen e afërt.
Vizita në Downing Street vjen pas takimit dypalësh të William me kryeministrin indian, Narendra Modi, në Nju Delhi javën e kaluar, me kërkesë të qeverisë britanike.
Takimi u zhvillua gjatë vizitës së princit në Indi, në kuadër të angazhimeve të tij për çmimet “Earthshot Prize”, ku shoqërohej nga princesha e Uellsit.
Edhe pse ky ishte takimi i tyre i parë zyrtar në cilësinë e kryeministrit dhe princit të Uellsit, të dy ishin takuar më parë gjatë vizitës shtetërore të sulltanit të Omanit në Britaninë e Madhe, muajin e kaluar.
Ata kishin pasur kontakte edhe në vitin 2023, kur Burnham ishte kryetar i bashkisë së Mançesterit të Madh dhe William vizitoi projektin rinor “Hideaway” në zonën Moss Side.
Në janar 2025, princi zhvilloi gjithashtu një takim me kryeministrin e atëhershëm, Keir Starmer, në Pallatin Kensington.
Sipas burimeve mbretërore, është një traditë kushtetuese që trashëgimtari i fronit të zhvillojë një takim vjetor me kryeministrin, për të forcuar marrëdhëniet me kreun e qeverisë dhe për të kuptuar më mirë funksionimin e institucioneve shtetërore.
Vizita e William ishte gjithashtu hera e parë në 14 vjet, që një anëtar i familjes mbretërore britanike vizitonte Downing Street.
Herën e fundit që një anëtar i familjes mbretërore vizitoi rezidencën, ishte në vitin 2012, kur mbretëresha Elizabeth II, mori pjesë në një mbledhje të kabinetit qeveritar, gjatë jubileut të saj të diamantit.
Takimi i William me kryeministrin, shihet si pjesë e përgatitjes së tij për përgjegjësitë e ardhshme kushtetuese, ndërsa roli i tij në përfaqësimin ndërkombëtar të interesave britanike pritet të zgjerohet në vitet në vijim. /



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.