Bordi i Transparencës vendos çmimet e reja të naftës dhe benzinës
Bordi i Transparencës ka vendosur çmimet e reja të shitjes me pakicë dhe shumicë për nënproduktet e naftës dhe gazit.
Në mbledhjen e zhvilluar më 8 tetor, Bordi vendosi që çmimi i shitjes me pakicë i gazoilit të standardit SSH EN 590 të jetë jo më shumë se 217 lekë për litër, ndërsa çmimi i shitjes me shumicë jo më shumë se 205 lekë për litër.
Për benzinën e standardit SSH EN, çmimi i shitjes me pakicë do të jetë jo më shumë se 193 lekë për litër, ndërsa ai i shitjes me shumicë jo më shumë se 181 lekë për litër.
Çmimet e përcaktuara nga Bordi hyjnë në fuqi sot, më 8 tetor, në orën 12:00 dhe do të jenë të vlefshme deri në mbledhjen e ardhshme të Bordit, ku do të pasqyrohen ndryshimet e çmimeve të shitjes.
Bordi ka tërhequr vëmendjen e operatorëve të shitjes me shumicë dhe pakicë për detyrimin e zbatimit të vendimit.
Në rast të shkeljeve të konstatuara nga operatorë të ndryshëm, do të vendoset pezullimi i aktivitetit.
Vendimi është marrë në mbështetje të vendimit të Këshillit të Ministrave për shpalljen e situatës së veçantë në tregun e hidrokarbureve, si dhe kuadrit ligjor për përpunimin, transportimin dhe tregtimin e naftës, gazit dhe nënprodukteve të tyre.
Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, Ministria e Financave dhe Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë deklarojnë se janë angazhuar për mbrojtjen e interesave të konsumatorëve shqiptarë dhe ruajtjen e parimeve të konkurrencës së ndershme në treg.


Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.