MaqedoniaRajoni

Boshnjakovski për ekstradimin e anëtarëve të FETO-s: Duhet të ketë argumente

Zëdhënësi i qeverisë së Maqedonisë së Veriut, Mile Boshnjakovski tha se “çdoherë duhet të ketë argumente kur pohohet në diçka”

Zëdhënësit e qeverisë së Maqedonisë së Veriut, Mile Boshnjakovski dhe Muhamed Hoxha, në një konferencë të përbashkët për media kanë njoftuar për vendimet që janë miratuar në mbledhjen e 129-të të qeverisë të mbajtur të martën, raporton Anadolu Agency (AA).

Zëdhënësi Hoxha njoftoi se qeveria solli vendim për riemërtimin e arenës nacionale multifunksionale nga Arena Nacionale “Filipi i Dytë” në Arena Nacionale “Toshe Proeski”, si dhe ndërtimin e 14 pishinave të notit në mbarë Maqedoninë e Veriut.

“Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut gjithashtu në këtë mbledhje shqyrtoi dhe miratoi Informacionin për realizimin e projektit për ndërtimin e 14 pishinave të notit në Republikën e Maqedonisë së Veriut, me ç’rast është miratuar fillimi i procedurës për lidhjen e Marrëveshjes për furnizim publik disavjeçar për ndërtimin e 14 pishinave të notit në Republikën e Maqedonisë së Veriut”, tha Hoxha.

Ai sqaroi se në vitin 2019, Agjencia e të Rinjve dhe Sportit për këtë projekt ka në dispozicionin 30 milionë denarë, ndërsa komunat ku do të ndërtohen pishinat duhet të bëjnë përzgjedhjen dhe propozimin e lokacionit.

Zëdhënësi Boshnjakovski shpalosi disa të dhëna rreth rezultateve të masave ekonomike të qeverisë. Ai tha se në vitin 2018 janë hapur gjithsej 26.600 vende të reja të punës me çka papunësia ka rënë në 19,4 për qind. Ai gjithashtu tha se në vitin e kaluar në Maqedoninë e Veriut kanë hyrë investime të huaja në vlerë prej 624,5 milionë euro, që kanë hapur rreth 1.000 vende të reja të punës.

Pasi njoftuan mbi mbledhjen e 129-të të qeverisë së Maqedonisë së Veriut, zëdhënësit u përgjigjën në pyetjet e gazetarëve. Ata u pyetën nëse është diskutuar për kërkesën e shtetit turk për ekstradimin e mundshëm të 15 anëtarëve të organizatës terroriste FETO.

Zëdhënësi Mile Boshnjakovski tha se në mbledhjen e së martës të qeverisë nuk është diskutuar për këtë çështje.

“Në këtë rast do të përsëris se shteti ynë bashkë me aleatët nga NATO gjithmonë kanë luftuar kundër terrorizmit dhe kundër terrorizmit ekstrem dhe kjo kështu do të mbetet edhe në të ardhmen, me atë që çdoherë duhet të ketë argumente kur pohohet në diçka dhe kuptohet kur shërbimet do t’i vërtetojnë si të tilla, nëse ekzistojnë”, tha Boshnjakovski.

Të hënën, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, në lidhje me ekstradimin e mundshëm të 15 anëtarëve të organizatës terroriste FETO, tha se “Maqedonia e Veriut duhet të respektojë legjislacionin vendor dhe ndërkombëtar”. Ndërkohë, Ministria e Drejtësisë e Maqedonisë së Veriut ka konfirmuar për AA se “po zhvillohen 15 lëndë-kërkesa për ekstradim për vepra penale nga sfera e terrorizmit”.

Zëdhënësit e qeverisë u pyetën edhe për pretendimet për përdorim të gjuhë të urrejtjes nga ana e kryetarit të Bashkësisë Fetare Islame të Maqedonisë, Sulejman Rexhepi, me ç’rast thanë se Qeveria e Maqedonisë së Veriut dënon çdo lloj të gjuhës së urrejtjes, pa marrë parasysh nëse shprehet në rrjetet sociale, konferenca apo tribuna.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button