Rajoni

Bosnja kujton 20-vjetorin e masakrës së Srebrenicës

Mijëra persona ishin të pranishëm sot në Srebrenicë, dhe mijëra të tjerë vazhdonin të mblidheshin, për të marrë pjesë në ceremoninë me rastin e 20-vjetorit të masakrës së 8 000 burrave dhe djemve myslimanë, një vrasje e cilësuar si gjenocid nga drejtësia ndërkombëtare.

Me këtë rast, trupat e 136 viktimave të identifikuara nga masakra e korrikut 1995 do të varrosen rreth orës 11:00 GMT. Rreth 50 000 persona, prej të cilëve të afërm të viktimave dhe të mbijetuar, priten në Srebrenicë.

6 241 viktima të gjetura dhe të identifikuara janë varrosur në memorialin e Srebrenicës dhe 230 të tjerë në varreza të tjera.

“Kam humbur babin këtu. Imagjinoj vuajtjet e tij”, shprehet Emina Malic, 20 vejeçe, e sapolindur në kohën që ndodhi masakra. “Drama të tilla nuk duhet të përsëriten më”, theksoi ajo e mbytur në lot dhe që sot jeton në Çikago, në SHBA.

20 vjet më parë, në korrik të vitit 1995, ndërkohë që rajoni ishte deklarur ”zonë e mbrojtur” nga OKB-ja, rreth 8 000 burra dhe djem myslimanë u vranë nga forcat serbo-boshnjake, masakra më e rëndë që prej fundit të Luftës së Dytë Botërore.

Lufta ndërkomunitare e Bosnjes (1992-95) shkaktoi 100 000 të vdekur dhe rreth dy milionë refugjatë, pothuajse gjysma e popullsisë në atë kohë.

Një numër i madh zyrtarësh ndërkombëtarë, mes të cilëve presidenti i SHBA-së në atë kohë, Bill Clinton, qeveria e të cilit u bë arkitekte e marrëveshjeve të paqes së Daytonit që i dhanë fund konfliktit boshnjak, do të jenë të pranishëm në Srebrenicë.

Clinton ka qenë gjithashtu i pranishëm dhe me rastin e 10-vjetorit të masakrës së Srebrenicës.

– Prania e kryeministrit serb –

Presidenti serb në atë kohë, pro-evropiani Boris Tadic, ka qenë gjithashtu i pranishëm në vitin 2005, si dhe në vitin 2010 me rastin e 15-vjetorit të kësaj masakre.

Në vitin 2010, Parlamenti serb miratoi një deklaratë për Srebrenicën pa përdorur fjalën ”gjenocid”. Në vitin 2013, presidenti aktual, Tomislav Nikolic i kishte kërkuar në ”gjunjë” që Serbia të falej për krimet e kryera në Srebrenicë, gjithmonë pa përmendur fjalë ”gjenocid”.

Serbia, që refuzon të ketë kryer gjenocid në Srebrenicë, do të jetë e përfaqësuar nga kryeministri, Aleksandar Vuçiç, një ish-fajkon ultranacionalist i kthyer në pro-evropian të bindur.

Kjo çështje ka nxitur gjithmonë debate në skenën politike ndërkombëtare dhe mbetet një çështje që ”helmon” marrëdhëniet mes Serbisë dhe Bosnjes.

20 vjet pas masakrës së Srebrenicës, Bosnja, një prej vendeve më të varfra në Evropë, është e paralizuar nga ndarjet dhe vazhdon të mbetet prapa kandidatëve për anëtarësimin në Bashkimin Evropian.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button