Ekonomia

Boston Globe – Berati, një nga 10-të vendet për t’u vizituar në 2016

Qyteti Beratit, i njohur për atraksionin turistik pasi mbart vlera të çmuara kulturore dhe historike, sygjerohet si një nga 10-të destinacionet që duhen vizituar në vitin që vjen, 2016.

Autori i shkrimit, në Boston Globe, Christopher Muther,  përshkruan Shqipërinë si një perlë të pazbuluar

Në shkrim, autori përshkruan 10-të vendet që duhen vizituar në vitin e ri kalendarik. Ai e cilëson vendin tonë si një perlë të pazbuluar, ku mund të gjesh një bregdet të mrekullueshëm dhe një kulturë mikse mes perëndimit dhe lindjes, ndërsa në zona të caktuara janë ende gjurmët e vuajtjes së komunizmit, që kaploi për 50-vite vendin e shqiponjave.

Autori gjithashtu në shkrimin e tij sqaron se koha më e përshtatshme për udhëtimin është shtatori. Ai thotë se udhëtarët nuk duhet të presin komoditete të mëdha, pasi në Berat apo dhe shumë zona të tjera të vendit infrastruktura e transportit nuk është nga më të mirat. Akomodimi është për të gjitha nivelet, teksa shton se është mirë të mos përdoret shumë interneti, por ai garanton se një udhëtim në Shqipëri do të ishte mahnitës

Berati:

Qyteti i Beratit, deklaruar Qytet Muze në vitin 1961 nga Qeveria Shqiptare, iu shtua Listës së Trashëgimisë Kulturore të UNESCO-s në vitin 2008, si një shembull i rrallë i një qyteti të periudhës Otomane.

Berati është një qendër historike e fortifikuar, i cili dëshmon pasurinë dhe diversitetin e trashëgimisë arkitekturore të rajonit. Berati është vendosur në Lumin Osum, ndërmjet Malit të Tomorrit dhe luginës së Myzeqesë. Siti përbëhet nga tre pjesë : Kalaja e Beratit e ndërtuar mbi një kodër në anën veriore të lumit, lagjia Mangalem vendosur në këmbët e kodrës së kalasë, kalaja e Goricës dhe lagjja e saj vendosur në bregun jugor të lumit.

Qendra urbane e qytetit ka dëshmi të jashtëzakonshme të llojeve të ndryshme të monumenteve dhe ndërtesa urbane që i takojnë periudhës Klasike Otomane. Qyteti i Beratit ndodhet në Shqipërinë Jug-Qëndrore, 120 km në jug të Tiranës.

Qyteti është ndër më të vjetrit në Shqipëri, fillimet e të cilit i gjejmë në një vendbanim në formë fortese -Kalaja, e cila ka ekzistuar që prej shekullit VII para Krishtit me një jetë të pandërprerë deri në ditët e sotme. Ai ka qenë vendbanim i fisit Ilir të Desaretëve ,të cilët ishin të parët që ndërtuan fortifikimet në qytet. I njohur si Antipatrea qyteti u pushtua prej romakëve në shekullin e II para Krishtit. Romakët e quajtën qytetin Albanorum Oppidum (Kështjella Shqiptare).
Gjatë periudhës Bizantine në shekullin e V qyteti njihet si Pulcheriopolis, nga Pulheria -emri i motrës së Perandorit Bizantin Teodos i cili pushtoi qytetin. Emri Pulcheriopolis do të thoshte ‘’qytet i bukur, i pasur, i fuqishem’’ dhe jo rastësisht iu vu qytetit; ai po bëhej një qendër kyçe me rritje të madhe kulturore. Në shekullin e VII filluan invazionet Bullgare ,të cilat zgjatën deri në vitin 1018 duke e quajtur Beratin si Belgrad – Qyteti i Bardhe.

Trojet e Beratit, sipas arkeologëve kanë qenë të banuara nga njerëz të civilizuar që nga shekulli VII para erës sonë. Qyteti i Beratit është ngritur fillimisht si kështjellë, mbi kodrën shkëmbore me lartësi 187 metra mbi nivelin e detit, në krahun e djathtë të lumit Osum, para se ky të dalë në fushën e Myzeqesë, më e madhja e Shqipërisë. Rrethi i Beratit shtrihet në Krahinën Malore Qendrore e pjesërisht në Ultësirën Jugperëndimore të Shqipërisë. Klima e rrethit është tipike mesdhetare, me temperaturë mesatare vjetore 15,9 gradë C.

Shkrimi i plotë i autorit Christopher Muther:

“Ky vend nuk është për turistë që duan t’i kenë gati të gjitha, apo për udhëtarët e pa-eksperiencë, por të jeni të sigurt se shpërblimi për pagesën dhe durimin tuaj është i madh. Nëse hezitoni të shkoni vetëm, kontaktoni kompani të udhëtimeve turistike, si Adriatic Luxury Journeys. Pasi ka qenë i izoluar për vite me radhë nga pjesa tjetër e Europës nën regjimin komunist, Shqipëria ngadalë është bërë një destinacion i kërkuar turistik. Infrastruktura nuk i përgjigjet ende kërkesës. Rrugët janë në kushte të këqija, transporti publik është i çrregullt, dhe interneti nuk është shumë i disponueshëm. Por pikërisht për këta faktorë, Shqipëria një perlë e pazbuluar, dhe plazhet përgjatë Rivierës Shqiptare janë mahnitëse. Fluturim direkt? Jo. Koha më e mirë për të shkuar? Shtatori”.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button