BOTËRORI 2026 – Klopp sulmon Trumpin dhe Infantinon pas vendimit për Balogun
DYSELDORF, 6 korrik /ATSH-DPA/ – Ish-trajneri i “Liverpoolit “dhe i “Borusia Dortmund”, Jürgen Klopp, ka reaguar ashpër ndaj raportimeve se presidenti amerikan Donald Trump është përpjekur të ndikojë në vendimin për anulimin e pezullimit të sulmuesit të kombëtares amerikane, Folarin Balogun, përpara ndeshjes së 1/8-ave të finales së Kupës së Botës kundër Belgjikës.
Duke folur në “MagentaTV”, ku është i angazhuar si analist gjatë turneut, Klopp u shpreh i zemëruar me lajmet që sugjerojnë se presidenti Trump ka ushtruar ndikim mbi drejtuesit e futbollit botëror.
“Ky është sporti ynë, jo i tyre”, deklaroi Klopp, duke nënkuptuar se politika nuk duhet të ndërhyjë në vendimmarrjen sportive.
Organi drejtues i futbollit botëror, FIFA, vendosi që Balogun të kishte të drejtë të luante sot në përballjen me Belgjikën. Sulmuesi ishte pezulluar automatikisht pasi kishte marrë karton të kuq në ndeshjen e fazës së 1/16-ave kundër Bosnjë dhe Hercegovinës javën e kaluar.
Vendimi u përshëndet nga kombëtarja e Shteteve të Bashkuara dhe nga presidenti Trump, ndërsa federata belge reagoi me habi, duke deklaruar se ishte “e befasuar” nga ky vendim dhe se po shqyrtonte të gjitha mundësitë ligjore për ta kundërshtuar atë.
Më vonë, media “The Athletic” raportoi, duke cituar burime të njohura me çështjen, se Trump kishte telefonuar presidentin e FIFA-s, Gianni Infantino, me të cilin ka marrëdhënie miqësore, për të kërkuar anulimin e pezullimit të Balogun.
Deri tani, as FIFA dhe as Shtëpia e Bardhë nuk kanë komentuar mbi këto pretendime.
“Nëse Trump dhe Infantino vërtet janë marrë vesh për këtë, atëherë është çmenduri. Kjo vë gjithçka në pikëpyetje”, tha Klopp. Ai shtoi se “këta dy persona, asnjëri prej të cilëve nuk di gjë për futbollin, nuk duhet të kenë fare lidhje me vendime të tilla”.
Trajneri gjerman tha se nuk arrin ta kuptojë pse pezullimi u anulua, pasi sipas tij episodi që solli kartonin e kuq nuk lë vend për diskutim. “Ai ishte karton i kuq”, u shpreh Klopp.
Ai shtoi se edhe nëse dikush e konsideron kartonin një gabim të arbitrit, futbolli ka mësuar të jetojë me vendime të tilla. “Në sportin tonë të gjithë vuajmë nga vendimet e gabuara, por kemi mësuar t’i pranojmë dhe të ecim përpara”, tha ai.
Ndërkohë, Klopp mbetet kandidati kryesor për të marrë drejtimin e kombëtares së Gjermanisë, pasi Julian Nagelsmann dha dorëheqjen pas eliminimit të ekipit nga Kupa e Botës FIFA, ku Gjermania u mposht 4-3 me penallti nga Paraguai në fazën e 1/16-ave. /Ad.Ab./ a.jor.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.