BOTËRORI 2026 – Rekord tifozësh dhe audience: A po hyn futbolli në një epokë të re në SHBA?
– Në shumë vende të botës, futbolli është sporti më i dashur. Në SHBA, megjithatë, ai vazhdon të jetë pas sporteve si futbolli amerikan, basketbolli, bejsbolli dhe hokeji, të cilët dominojnë audiencën, sponsorët dhe mediet, shkruan BBC.
Megjithatë, organizimi i Botërorit 2026, po rrit ndjeshëm interesin për futbollin.
Kombëtarja amerikane do të përballet të hënën me Belgjikën, për një vend në çerekfinale, ndërsa shumë analistë pyesin nëse ky turne do të jetë në gjendje ta bëjë futbollin, një nga sportet kryesore në vend.
Në qytetet pritëse, stadiumet janë plot, tifozët ndjekin ndeshjet në zona të posaçme dhe restorante, ndërsa dyqanet po shesin me sukses fanellat dhe produktet e kombëtares amerikane.
Shumë tifozë besojnë se, pavarësisht rezultatit të ekipit, ky Botëror mund të ndryshojë përgjithmonë, vendin që zë futbolli në SHBA.
Rekorde shikueshmërie dhe pjesëmarrjeje
Botërori 2026 ka regjistruar shifra rekord. Ndeshjen e parë të SHBA-së e ndoqën rreth 25 milionë shikues në televizion (18 milionë në “Fox” dhe 7 milionë në “Telemundo”).
Sipas FIFA-s, në dy javët e para të turneut, ndeshjet u ndoqën në stadiume nga mbi 3,6 milionë tifozë, duke thyer rekordin e Botërorit 1994, kur SHBA-ja e organizoi, për herë të fundit kompeticionin.
A do të zgjasë ky interes?
Ekspertët thonë se është ende herët për të thënë, nëse futbolli do të bëhet një sport kryesor në SHBA.
Sipas tyre, futbolli nuk ka traditën e basketbollit apo futbollit amerikan, por sot ka një bazë shumë më të madhe tifozësh dhe lojtarësh sesa 30 vite më parë.
Një nga arsyet kryesore është rritja e numrit të fëmijëve që zgjedhin futbollin.
Shumë prindër po largohen nga futbolli amerikan, për shkak të shqetësimeve për dëmtimet në kokë.
Roli i Lionel Messi dhe MLS
Zhvillimin e futbollit e ka ndihmuar edhe kampionati amerikan, Liga kryesore e futbollit në SHBA (MLS), ku luan Lionel Messi.
Po ashtu, kampionatet evropiane si “Premier League” dhe “La Liga” po ndiqen gjithnjë e më shumë nga publiku amerikan.
Një studim i fundit tregon se futbolli tashmë, e ka kaluar bejsbollin dhe është bërë sporti i tretë më i preferuar në SHBA.
Sfidat
Megjithatë, analistët thonë se futbolli përballet ende me pengesa kulturore. Amerikanët janë mësuar me sporte me shumë pikë dhe fitore të shpeshta, ndërsa futbolli ka pak gola dhe shumë ndeshje të ekuilibruara.
Pavarësisht kësaj, transmetimet televizive, platformat online, serialet kushtuar futbollit, emigracioni nga vende, ku futbolli është sporti kryesor dhe videolojërat e FIFA-s, kanë ndihmuar, që ky sport të fitojë gjithnjë e më shumë popullaritet.
Nëse SHBA-ja vazhdon të ecë përpara në Botëror, shumë ekspertë besojnë, se ky mund të jetë momenti kur futbolli të hyjë përfundimisht, në mesin e sporteve më të ndjekura në vend. /



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.