Ekonomia

Braçe: Guvernatori fsheh raportin mbi vjedhjen e Bankës

Kreu i Komisionit të Ekonomisë thotë se Fullani iu përgjigj pjesërisht kërkesës zyrtare

fullaniKryetari i Komisionit Parlamentar të Ekonomisë, Erion Braçe, në një reagim të tij, shprehet se Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, fsheh të dhënat zyrtare nën pretekstin se informacionet janë dokumente të cilësuara si sekret shtetëror. Në një postim në rrjetin social Facebook, Braçe shkruan se Fullani i është përgjigjur vetëm pjesërisht shkresës së drejtuar nga ai në emër të Komisionit Parlamentar të Ekonomisë. “Guvernatori dorëzon informacionin, por vetëm pjesërisht!! Sërish, tërësisht i pamjaftueshëm. Madje madje, i shoqëruar me kujdesin e veçantë për të kërcënuar përmes “legjislacionit” mbi “sekretin bankar” dhe “sekretin shtetëror”. Tërësisht qesharak si veprim; kur shihet qartë që dokumentet e dorëzuara nuk përbëjnë “sekret” dhe janë “klasifikuar” kështu në kundërshtim me ligjin, me synimin e qartë që publiku të vijojë të mos dijë asgjë rreth paligjshmërisë në Bankën e Shqipërisë. Megjithatë; Guvernatori Fullani dorëzoi dje pasdite në Kuvend, informacionin e kërkuar për: Organigramën e Bankës së Shqipërisë, sipas funksioneve dhe përgjegjësive në linjën vertikale të drejtimit; Buxhetin e Bankës së Shqipërisë nga viti 2010 e në vijim; Raportin e Inspektorit të Përgjithshëm të Bankës së Shqipërisë nga viti 2010 e në vijim. Guvernatori Fullani refuzon të dërgojë në Kuvend informacionin e kërkuar për:

Listën e punonjësve të Bankës së Shqipërisë shoqëruar me funksionet për gjithsecilin; Kontratat e investimeve të lidhura nga Banka e Shqipërisë nga viti 2010 e në vijim, me vlerat respektive, afatet dhe kompanitë e kontraktuara (në Kuvend është depozituar vetëm një listë e kontratave, por pa informacionin e mësipërm)”, shkruan Braçe. Ndërsa bën të ditur se cilat nga raportet e kërkuara kanë mbetur pa u paraqitur në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë. Raportet e tre grupeve të punës të ngritura menjëherë pas vjedhjes në Bankën e Shqipërisë, raporte që citohen në një deklaratë të Këshillit Mbikëqyrës e sipas të cilave Guvernatori dhe Këshilli Mbikëqyrës nuk kanë shkelur ligjin në rastin e vjedhjes se Bankës, nuk janë depozituar, pasi sipas guvernatorit, raportet e grupeve të punës qenkan “sekret shtetëror”. “Në fakt, unë e kam një ide pse Guvernatori i Bankës së Shqipërisë refuzon ta dorëzojë këtë informacion në Komisionin e Ekonomisë së Kuvendit. E para, Guvernatori nuk e dorëzon listën e punonjësve, sepse insiston të mbrojë tërësisht nepotizmin, klientelizmin politik dhe klientelizmin e lidhur me interesa të biznesit, që është instaluar në Bankën e Shqipërisë e që është një nga problemet kryesore të degradimit nga pikëpamja institucionale dhe përgjegjësive të institucionit. Ky informacion në mënyrë konstante i është refuzuar dhe inspektorit gjatë vitit 2010, ndërkohë që emërimi në detyra dhe funksione në Bankën e Shqipërisë është përgjegjësi e Guvernatorit dhe Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë. E dyta, Guvernatori nuk i dorëzon të plota kontratat e investimeve në Bankën e Shqipërisë, sepse insiston të fshehë deri në fund paligjshmërinë në këtë segment të veprimtarisë së Bankës, të klasifikuar me risk të lartë nga organet e kontrollit të brendshëm, inspektimit dhe Kontrollit të Lartë të Shtetit. Ky informacion është klasifikuar si sekret shtetëror, kur fare thjesht detajet e afateve, kompanive, vlerave të këtyre kontratave janë të mjaftueshme për të gjykuar paligjshmërinë e një pjese të rëndësishme të këtyre kontratave”, shkruan Braçe.

Raportet për vjedhjen

Kryekomisioneri socialist ngre shqetësimin se Guvernatori i Bankës nuk depoziton raportet e grupeve të punës të ngritura pas vjedhjes së 713 milionë lekëve në këtë institucion. “Nuk dorëzon raportet, sepse kërkon të fshehë deri në fund çka ndodhur në Bankë në rastin e vjedhjes së zbuluar tashmë, kërkon të fshehë mekanizmin dhe përgjegjësinë e të gjithë autoritetit komandues të Bankës, nga Guvernatori, zëvendësguvernatori, Këshilli, departamentet, përgjegjësit e sektorëve. Ka edhe një arsye të dyshuar që mund të jetë e mundshme; Ende në Bankë nuk e dinë çfarë ka ndodhur, kanë thjesht disa deponime të Ardian Bitrajt të cilat ngjajnë më shumë me një dëshmi të rreme, alibi për të mos treguar të vërtetën deri në fund, siç ishte ajo alibia e bixhozit. Pra, nuk kanë prova të çdo elementi të vjedhjes, pasi ato po të ishin, dëshmojnë qartë për përgjegjësitë në 4 vite vjedhje, ndërkohë që mungesa tamam e tyre tregon qartë përgjegjësinë në dështimin e sistemeve të administrimit, ruajtjes dhe kontrollit të vlerave monetare në tre arkat e Departamentit të Emisionit. Kjo është gjendja. Ndërkohë ne vijojmë me përgatitjet për të çuar deri në fund detyrën në ballafaqimin me drejtimin e Bankës së Shqipërisë në Kuvend dhe publikisht”, thekson Braçe. Në lidhje me debatin për ndërhyrje në hetimet e prokurorisë, socialisti shprehet se “hetimi, me gjithë dyshimet e gjithkujt, duhet lënë të shkojë deri në fund. Por ai është hetim penal. Ne nuk kemi tagër ta bëjmë këtë. Ne thjesht po kërkojmë përgjegjësitë administrative të të gjithë autoritetit drejtues të Bankës. Dhe për të thënë të vërtetën dhe me kaq informacion sa kemi, jemi në gjendje ta nxjerrim që tani. Një gjë ua them që tani: Gjithçka ka qenë e qëllimshme”.

18 gusht

Kryekomisioneri Braçe, në një letër zyrtare të datës 18 gusht drejtuar Guvernatorit të Bankës, kërkonte të dhëna mbi situatën në Bankë, raportet mbi vjedhjen dhe listën e të punësuarve në këtë institucion

Refuzimi

Më datën 23 gusht, pesë ditë pas letrës zyrtare, Braçe bëri të ditur se Guvernatori ka refuzuar që t’i përgjigjet sipas ligjit mbi kërkesën për informacion nga Komisioni Parlamentar i Ekonomisë

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button