Opinion

Bravo SPAK, por… U pëlqen apo jo disave, njerëzit vazhdojnë presin për peshqit e mëdhenj, ata “lart fare”. Ndryshe nuk e quajnë…

Nga Bedri Islami

Lëvizjet e SPAK, fillimisht drejt Bashkisë së Lushnjes, ku, mes të arrestuarve është edhe kryebashkiaku i saj, figurë e njohur e së majtës që qeveris prej vitesh, dhe, pastaj, në Ministrinë e Brendshme, gjithashtu një institucion që drejtohet nga qeverisja e tashme, a paralajmërojnë se do ketë shkundje serioze?

Është gjithmonë një dyshim i tillë dhe do të vazhdojë të jetë, për deri sa sistemi i drejtësisë ende nuk është pastruar si duhet, madje ajo trupë që ka mbetur pa e kaluar Vetingun, është në kulmin e zullumit korruptiv dhe dëmet që i bën shtetit dhe qytetarëve, janë më të ndjeshme se historia e kanalit të Lushnjes.

Shumë pyetje janë shtruar dhe shumë të tjera janë në formim e sipër. Njerëzit janë në të drejtën e tyre të dyshojnë, aq më tepër sepse asnjë prej të arrestuarve të tanishëm nuk është realisht ndër peshqit e mëdhenj, kokat vendim-marrëse mbeten ende të paprekur.

Sa për të marrë dy shembuj brenda llojit: kanali i Tushes nuk krahasohet me gjëmën që i ka bërë Durrësit ish kryebashkiaku Vangjush Dako e që tërmeti me viktima e dëme të pallogaritshme e nxorri në pah. As pronat e Llallës, prokurorit më kurrizulur, nuk krahasohen me ato të ish-guvernatorit të bankës, Fullanit.

Ashtu si edhe dy bodigardët e lirë të ish ministrit të brendshëm, nuk krahasohen për nga dëmi me një nga ato vajzat e arrestuara të Bashkisë së Lushnjes, që priste të martohej. Nuk e di se cili ka qenë roli i asaj vajze, por e di fare mirë se cili është autoriteti dhe funksioni i shoqëruesit të ministrit të brendshëm, i cili forcën të fikë edhe radarët, të lëvizë tonelate me mariuanë, të paguajë nga 15 mijë euro për një shërbim të rëndomtë dhe të tallet tani nga brigjet spanjolle.

Po vetë ministri thua nuk e dinte se çfarë fshihnin nën “sqetull” rojtarët e tij? Kur kryeredaktori i DITA e denoncoi që në 2015 atë që po ndodhte (kliko KËTU) pakkush e besoi. Por ja që punët ashtu kanë qenë.

Ai që duhej të dinte se ku fshihej krimi në të gjithë Shqipërinë, nuk dinte se cilët kishte shoqërues krah tij dhe se çfarë bënin ata natën? Vështirë të mendohet, kjo është e pamundur! Nëse nuk e ka ditur, atëherë kot paska qenë ministër, nëse e ka ditur, ai vetë është pjesë e trafikut. Rrugë të mesme nuk ka!

Kryeministri i vendit sot kërkon që në 100 ditë, policia të bëjë atë që nuk arriti ta bëjë në 8 vite, ku dikasterin e drejtuan 4 ministra të zgjedhur me dorë nga ai vetë. Nuk ndryshon historia me aksione 100 ditëshe, as me hartime bajate për konsum mediatik. Pas 100 ditëve do të kemi përsëri policë që mbyllin sytë; zyrtarë që e shohin korrupsionin si rrugën e vetme të pasurimit dhe, çfarë është më e keqja, e shohin këtë si një normalitet; sepse e dinë që mbi ta ka ministra dhe sekretarë të përgjithshëm të ministrive që duan 20 përqindëshin; kryetarë bashkish që bëjnë tenderë fiktivë dhe e dinë që më përpara se cili është fituesi; biznesmenë të mëdhenj që, pasi marrin tendera njëri pas tjetrit, e shpërndajnë tek të tjerët dhe nxjerrin mbifitimin vetëm nga afërsia me qeverinë dhe opozitën.

Një djalë i ri, ai që paraqiti Letrat Mashtruese në tenderët 40 milionë euro në Unazën e Madhe dhe në OSSHE, u dënua me tri vite burg, në mungesë, për mashtrim. Ia do kujt mendja se vetëm ish recepsionisti në një hotel çfarëdo lëvizi gjithë piramidën e shtetit dhe fitoi tenderë aq të mëdhenj e askush nuk e dinte?!

Po të tjerët, ata që ishin avokatët e tij, mbrojtësit e tij dhe që tani, me siguri, e financojnë qëndrimin e tij jashtë shtetit në liri, deri sa vepra penale e tij të anashkalohet e të ketë një amnisti  nuk dinë asgjë?

Kush fitonte në qeveri dhe opozitë nga kjo lëvizje e “papritur” ku ishin përfshirë miliona euro me një dorë, kur dihet nga të gjithë se pas recepsionistit fshihet ndërtuesi kontrovers Bashkim Ulaj? Dhe a nuk është e habitshme që të gjitha veprat e mëdha kalojnë në krejt pak duar si ky, afër oborrit politik; emra të cilët anatemohen nga politikanët kur janë në opozitë, e pastaj po këta opozitarë për çudi drekojnë e darkojnë me ta kur bëhen ministra?

Tushe mund të qëndrojë edhe disa ditë në burg, akuza ndaj tij është e cektë dhe jo serioze, ama, në të njëjtën kohë askush nuk e di se çfarë u bë me politikanët dhe zyrtarët që gatuan psh mashtrimin e njohur si afera Babale? Njëri nga të akuzuarit, shumë shpejt, në shtator, do të jetë në sallën e parlamentit.

Përpara SPAK-ut është një punë vigane, të cilën gjithkush e di se ata nuk e kryejnë dot fillikat. Edhe sikur të jenë dhjetë herë më të plotfuqishëm, nuk ia arrijnë. Institucionet perëndimore, sidomos amerikane, e dinë krejt mirë këtë: ata e dinë se oktopodi i korrupsionit ka marrë në Shqipëri të drejtën e qytetarisë, është ulur këmbëkryq në administratën e lartë dhe ka bërë pis gjithë sistemin.

Të shpresojmë se SPAK-u ia ka filluar punës me gurë të vegjël, të rrumbullakët, që edhe mund t’i rrëshqasin nga duart. Të shpresojmë se ky është vetëm fillimi dhe kështu e kanë menduar thjesht për të ngjallur alarmin e parë. Të shpresojmë që do preken shpejt të paprekshmit e politikës. Të shpresojmë që jo rastësisht SPAK po përgëzohet nga institucionet perëndimore, më shumë se nga institucionet tona.

U pëlqen apo jo disave, njerëzit vazhdojnë shohin gjithnjë nga peshqit e mëdhenj; nga ata “lart fare”. Ndryshe nuk e quajnë se po bëhet diçka e rëndësishme dhe e pranueshme për padrejtësitë e mëdha dhe të hapura të këtyre 30 viteve; për revoltën e tyre.

“Ndiq paranë”, është një aksiomë e vjetër për të gjetur gjurmët e krimit. Në Shqipëri ajo mund të formësohet “ndiq vilat”, dhe, domosdo, do të gjesh gjurmët e krimit. Duhet patjetër të ketë një ditë të tillë; një ditë që do të përmbysë “peshkaqenët”. Ndoshta do të jetë një ditë e zakonshme, por e lumtur.

Marrë nga gazeta “ Dita” 

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button