BRUKSEL – BE-ja disburson 2,86 miliardë euro ndihmë ushtarake për Ukrainën
BRUKSEL, 14 tetor /ATSH-Ukrinform/ – Bashkimi Evropian (BE) disbursoi sot 2,86 miliardë euro ndihmë ushtarake për Ukrainën.
Sipas një njoftimi për shtyp të Komisionit Evropian, Kievi do ta përdorë këtë fond për financimin e dronëve, sistemeve të mbrojtjes ajrore, raketave, sistemeve të radarëve, pajisjeve për luftën elektronike dhe municioneve.
Financimi është pjesë e huasë prej 90 miliardë eurosh, që BE-ja i ka akorduar Ukrainës për vitet 2026 dhe 2027.
Nga kjo shumë, deri në 60 miliardë euro do të përdoren për mbështetjen e mbrojtjes së Ukrainës, ndërsa 30 miliardë euro janë parashikuar për mbështetjen ekonomike të vendit.
“Ndërsa përparimi i Rusisë në front është ngadalësuar, ajo vijon të përshkallëzojë sulmet ajrore, duke goditur pa mëshirë civilët dhe infrastrukturën e Ukrainës”, deklaroi presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
“Mbështetja e vazhdueshme e Evropës është më e rëndësishme se kurrë për ta ndihmuar Ukrainën të mbrojë hapësirën e saj ajrore dhe të shpëtojë jetë. Me disbursimin e sotëm prej 2,86 miliardë eurosh, ne vazhdojmë të përmbushim nevojat më urgjente operacionale të Ukrainës, përfshirë dronët dhe raketat, të cilat janë thelbësore për mbrojtjen e saj”, u shpreh ajo.
Komisioni Evropian bëri të ditur se fonde të tjera pritet të kryhen gjatë javëve në vijim. /



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.