BRUKSEL – BE-ja i kërkon Elon Musk të rikthejë plotësisht shërbimin “Starlink” për Ukrainën
BRUKSEL, 21 tetor /ATSH-DPA/- Bashkimi Evropian i kërkoi kompanisë “SpaceX” të Elon Musk të rikthejë plotësisht shërbimin e internetit satelitor “Starlink” në Ukrainë.
BE-ja reagoi pas raportimeve se shërbimi ishte kufizuar, duke theksuar se kjo e shqetëson shumë dhe se kompania më parë e kishte ofruar këtë shërbim pa kufizime të tilla.
Një zëdhënës i BE-së deklaroi në Bruksel se “SpaceX” duhet të rikthejë sa më shpejt shërbimin e plotë për Ukrainën.
Ky shërbim i nevojitet vendit për të kontrolluar dronët që përdoren për të mbrojtur territorin e tij.
Zëdhënësi shtoi se lufta në Ukrainë ka treguar se sa shumë varet siguria e Evropës nga sistemet që funksionojnë përmes satelitëve në hapësirë.
Për këtë arsye, BE-ja po punon për zhvillimin dhe ndërtimin e një rrjeti të ri satelitor, të quajtur IRIS2.
Ai do të përbëhet nga më shumë se 300 satelitë dhe do të ofrojë komunikime satelitore me siguri të lartë, si për përdorim civil, ashtu edhe për qëllime ushtarake.
“Ne do ta përfshijmë plotësisht edhe Ukrainën në këtë projekt”, tha zëdhënësi.
Më herët, gazeta “The Wall Street Journal” (WSJ) dhe televizioni “CBS News” raportuan se Elon Musk qëndronte pas vendimit për të kufizuar shërbimin e internetit satelitor “Starlink” në Ukrainë.
Sipas “CBS News”, Musk kishte zhvilluar disa biseda me zyrtarë qeveritarë përpara se të merrej vendimi.
Ai thuhet se kishte kërkuar të sqaronte qëndrimin e presidentit amerikan Donald Trump për këtë çështje.
Ndërkohë, “The Wall Street Journal” raportoi se Musk dhe Trump kishin biseduar drejtpërdrejt në telefon edhe pasi kufizimet ishin vendosur.
Shërbimi “Starlink” operohet nga kompania “SpaceX”.
Duke folur të premten në një samit të BE-së në Bruksel, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se pajisjet e lëvizshme “Starlink”, të përdorura për lidhjen e dronëve me internetin satelitor, nuk arrinin më të krijonin lidhje kur dronët arrinin një shpejtësi të caktuar.
Sipas Zelensky, kjo kishte ndikuar si te dronët e përdorur për mbrojtjen e Ukrainës, ashtu edhe te ata që përdoreshin për të goditur objektiva ushtarake. /



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.