FOKUS – Kremlini: Propozimet për fundin e luftës pa shumë risi
MOSKË, 21 tetor /ATSH-AFP/ – Kremlini vlerësoi sot se propozimet e paraqitura nga Ukraina dhe vendet evropiane për t’i dhënë fund luftës, gjatë bisedimeve të zhvilluara një ditë më parë në Oslo, nuk përmbajnë shumë elemente të reja.
Propozimet iu përcollën presidentit rus Vladimir Putin nga i dërguari amerikan Steve Witkoff.
Witkoff u takua për gati tri orë me Putinin në Shën Petërburg.
Këshilltari diplomatik i Kremlinit, Yuri Ushakov, e përshkroi takimin si një diskutim të detajuar dhe të hapur.
Sipas tij, i dërguari amerikan informoi presidentin rus mbi përmbajtjen e negociatave në Oslo dhe vuri në dukje disa elemente të reja në qëndrimet e Kievit dhe evropianëve, megjithëse ato, sipas Moskës, nuk përmbanin shumë risi.
Pavarësisht vlerësimit kritik, Putin i bëri të ditur Witkoffit se Rusia ishte, në parim, e gatshme të rifillonte negociatat rreth 10 nëntorit, me pjesëmarrjen e Rusisë, Ukrainës dhe Shteteve të Bashkuara.
Sipas Ushakovit, diskutimet pritet të përqendrohen te krijimi i një mekanizmi sigurie pas përfundimit të konfliktit.
Negociatat e drejtpërdrejta mes Rusisë, Ukrainës dhe Shteteve të Bashkuara u zhvilluan edhe gjatë vitit 2025, por dhanë pak rezultate, pasi Moska dhe Kievi mbetën të palëkundura në qëndrimet e tyre.
Bisedimet kanë mbetur të pezulluara që prej fillimit të këtij viti.
Këshilltari i Kremlinit përmendi gjithashtu mundësinë e një takimi mes presidentit Vladimir Putin, atij amerikan Donald Trump dhe presidentit kinez Xi Jinping në Kinë, në kuadër të samitit të Bashkëpunimit Ekonomik Azi-Paqësor (APEC), që pritet të mbahet në nëntor në Shenzhen.
Sipas Ushakovit, ideja nuk është kundërshtuar nga Moska, Uashingtoni apo Pekini, ndërsa pala kineze po merret me përgatitjet.
Nëse realizohet, do të ishte takimi i parë trepalësh i këtij formati mes udhëheqësve të tri fuqive më të mëdha botërore. /Ad.Ab./ a.jor.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.