Bruksel, Bushati vazhdon takimet në Parlamentin Evropian
Në kuadër të vizitës së tij në Bruksel, ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati ka zhvilluar një seri takimesh me zyrtarë të lartë të Parlamentit Evropian.
Pas takimeve me kreun e grupit të Aleancës Progresiste Gianni Pitella dhe raportuesit për Shqipërinë Knut Fleckenstein, Bushati është takuar me kryetarin e Komisionit parlamentar evropian për punët e jashtme, Elmar Brok.
Gjatë takimit, Bushati ka njohur bashkëbiseduesin me ecurinë e reformave shtetndërtuese në Shqipëri dhe punën që po bëhet nga qeveria për adresimin e 5 prioriteteve kyçe.
Ai u ndal veçanërisht tek reforma në drejtësi, miratimi dhe zbatimi i së cilës, siç tha ai, do të kenë efekt të drejtpërdrejtë jo vetëm në fushat që kanë të bëjnë me shtetin ligjor, por edhe në reformat që lidhen me përmirësimin e klimës së biznesit dhe sundimit të ligjit në ekonomi.
Nga ana e tij, zoti Brok vlerësoi ecurinë e reformave në Shqipëri dhe ndikimin e tyre në rrugën drejt BE-së, si dhe bëri thirrje për përfundimin sa më shpejt të reformës në drejtësi.