BRUKSEL – Rutte: Sulmi rus ndaj trenit në Ukrainë tregon se sa i “dëshpëruar” është Putini
– Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte deklaroi sot se sulmi rus ndaj një treni pasagjerësh në Ukrainë tregon se presidenti rus Vladimir Putin është “i dëshpëruar”, ndërsa theksoi se sulmi nuk do të dobësojë mbështetjen perëndimore për Ukrainën, sipas “Reuters”.
Një dron rus goditi dje një tren pasagjerësh pranë kufirit të Ukrainës me Poloninë, shtet anëtar i NATO-s.
Sulmi ndodhi pak kohë pasi në zonë kishte kaluar një tren diplomatik me ish-kryeministrin britanik, Boris Johnson dhe diplomatë të tjerë evropianë.
Rutte tha se Putini synon të pengojë vendet perëndimore, të vazhdojnë mbështetjen për Ukrainën dhe të dëmtojë unitetin e tyre.
“Ai mendon se mund të na ndalojë të mbështesim Ukrainën dhe se mund të minojë unitetin tonë. Ai gabon. Përgjigjja jonë është të rrisim mbështetjen”, tha Rutte.
Sulmi ka shkaktuar reagime të forta në Evropë.
Ministri i Jashtëm francez, Jean-Noël Barrot e cilësoi sulmin si një përpjekje për të frikësuar dhe përçarë evropianët, ndërsa ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius, e përshkroi atë si një përshkallëzim të llogaritur nga Moska.
Deklaratat vijnë në një kohë kur vendet evropiane po diskutojnë forcimin e mbështetjes për Ukrainën dhe masat e reja ndaj Rusisë. /


Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.