🌦️
Tiranë 17°C · Rrebesh i lehtë 20 Nëntor 2026
S&P 500 7,176 ▼2.02%
DOW 49,097 ▼2.19%
NASDAQ 23,879 ▼2.25%
NAFTA 82.24 ▼0.24%
ARI 3,586 ▼2.7%
💱 VALUTAT
EUR/USD 1.0980 EUR/GBP 0.8373 EUR/CHF 0.9259 EUR/ALL 90.1176 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.6181 EUR/TRY 55.4680 EUR/JPY 175.39 EUR/CAD 1.5727 EUR/USD 1.0980 EUR/GBP 0.8373 EUR/CHF 0.9259 EUR/ALL 90.1176 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.6181 EUR/TRY 55.4680 EUR/JPY 175.39 EUR/CAD 1.5727
₿ CRYPTO
BTC $61,823 ▼ -3.38% ETH $1,749 ▼ -3.25% XRP $0.9531 ▼ -3.75% SOL $71.7900 ▼ -4.09%
S&P 500 7,176 ▼2.02 % DOW 49,097 ▼2.19 % NASDAQ 23,879 ▼2.25 % NAFTA 82.24 ▼0.24 % ARI 3,586 ▼2.7 % S&P 500 7,176 ▼2.02 % DOW 49,097 ▼2.19 % NASDAQ 23,879 ▼2.25 % NAFTA 82.24 ▼0.24 % ARI 3,586 ▼2.7 %
EUR/USD 1.0980 EUR/GBP 0.8373 EUR/CHF 0.9259 EUR/ALL 90.1176 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.6181 EUR/TRY 55.4680 EUR/JPY 175.39 EUR/CAD 1.5727 EUR/USD 1.0980 EUR/GBP 0.8373 EUR/CHF 0.9259 EUR/ALL 90.1176 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.6181 EUR/TRY 55.4680 EUR/JPY 175.39 EUR/CAD 1.5727
20 Nën 2026
Breaking
Bota

BRUKSEL – Samit BE–BM për thellimin e bashkëpunimit 10 vjet pas Brexit-it

– Bashkimi Evropian dhe Britania e Madhe po diskutojnë në Bruksel një plan për thellimin e bashkëpunimit ekonomik, tregtar dhe të sigurisë, në kuadër të samitit të dytë mes palëve, që nga largimi i Britanisë së Madhe nga BE-ja në vitin 2020, sipas “Reuters”.

Në takim marrin pjesë kryeministri britanik, Andy Burnham, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, dhe presidenti i Këshillit Evropian, António Costa.

Samiti synon të përmirësojë marrëdhëniet e krijuara pas Brexit-it, të reduktojë pengesat në tregti dhe të forcojë bashkëpunimin përballë sfidave të përbashkëta ndërkombëtare, përfshirë luftën në Ukrainë, sigurinë evropiane, tensionet tregtare dhe kërcënimet kibernetike.

Takimi vjen 10 vjet pas referendumit të vitit 2016, kur shumica e votuesve britanikë mbështetën largimin nga Bashkimi Evropian.

Britania e Madhe u largua zyrtarisht nga unioni më 31 janar 2020.

Tri marrëveshje për tregtinë, klimën dhe të rinjtë

Në qendër të diskutimeve janë tri nisma kryesore, që synojnë të lehtësojnë marrëdhëniet mes dy tregjeve.

Marrëveshja e parë lidhet me tregtinë e produkteve bujqësore dhe ushqimore.

Ajo parashikon heqjen e një pjese të madhe të certifikatave dhe kontrolleve, që aktualisht kërkohen për shkëmbimin e produkteve me origjinë shtazore dhe bimore mes Britanisë së Madhe dhe BE-së.

Kjo do të lehtësonte eksportet e produkteve si mishi, sallamet, farat dhe mallrat e tjera bujqësore, duke ulur kostot dhe procedurat administrative për fermerët dhe bizneset.

Qeveria britanike vlerëson se kjo marrëveshje, mund t’i sjellë ekonomisë së vendit përfitime deri në 5,1 miliardë paund në vit. Zbatimi i saj parashikohet të nisë në mars 2028.

Një tjetër marrëveshje synon lidhjen e sistemeve të tregtimit të emetimeve të karbonit të Britanisë së Madhe dhe BE-së.

Këto sisteme u kërkojnë kompanive, të paguajnë për ndotjen që shkaktojnë, duke krijuar një kosto për emetimin e gazrave që ndikojnë në ndryshimet klimatike.

Lidhja e dy sistemeve do të mundësonte njohjen reciproke të lejeve të emetimit dhe do të shmangte vendosjen e disa tarifave kufitare për karbonin mbi produkte të caktuara, si çeliku, që tregtohen mes dy palëve.

Marrëveshja e tretë parashikon krijimin e një skeme të posaçme për lëvizjen e të rinjve.

Sipas propozimit, deri në 100 000 të rinj britanikë dhe po aq të rinj nga vendet e BE-së do të mund të jetojnë, punojnë ose studiojnë në territorin e palës tjetër për një periudhë deri në tre vjet.

Kjo skemë do të krijonte mundësi të reja për shkëmbime arsimore dhe profesionale, pa rikthyer lëvizjen e lirë të përgjithshme që ekzistonte përpara Brexit-it.

Tarifat universitare, pengesa kryesore për zbatimin e marrëveshjeve

Pavarësisht përparimit në negociata, një nga çështjet që mbetet e pazgjidhur, lidhet me tarifat e shkollimit për studentët evropianë në universitetet britanike.

Përpara Brexit-it, studentët nga vendet e BE-së paguanin tarifa të njëjta ose të krahasueshme me ato të studentëve britanikë.

Pas largimit të vendit nga unioni, ata klasifikohen si studentë ndërkombëtarë dhe përballen me tarifa shumë më të larta, që në disa raste arrijnë rreth katër herë nivelin e tarifave vendase.

BE-ja kërkon që studentët evropianë të paguajnë të njëjtat tarifa si studentët britanikë, ndërsa Londra ka propozuar ulje të ndjeshme të kostove, pa garantuar barazi të plotë.

Palët kanë vendosur një afat prej gjashtë muajsh për të gjetur një zgjidhje.

Sipas një zyrtari të lartë evropian, tri marrëveshjet kryesore do të nënshkruhen dhe do të hyjnë në zbatim paralelisht, pasi të arrihet një kompromis për tarifat universitare.

Për këtë arsye, pavarësisht dakordësisë së arritur në parim për disa prej nismave, marrëveshjet nuk janë ende të gjitha në fuqi.

Siguria, mbrojtja dhe lufta në Ukrainë

Përveç çështjeve ekonomike, samiti trajton edhe bashkëpunimin në siguri dhe mbrojtje, luftën në Ukrainë, migracionin e paligjshëm, luftën kundër krimit dhe kërcënimet kibernetike.

Udhëheqësit pritet të rikonfirmojnë angazhimin për të bashkërenduar qëndrimet ndaj agresionit rus në Ukrainë dhe për të forcuar sigurinë evropiane.

Në agjendë përfshihen gjithashtu bashkëpunimi në energji, mbrojtja e kufijve, zbatimi i ligjit dhe trajtimi i sfidave të përbashkëta ndërkombëtare.

Një tjetër çështje që kërkon diskutime të mëtejshme, është pjesëmarrja e Britanisë së Madhe në tregun e përbashkët evropian të energjisë elektrike, për të cilën negociatat vijojnë.

Një marrëdhënie më e afërt, pa rikthim të menjëhershëm në BE

Kryeministri britanik, Andy Burnham, ka argumentuar se largimi nga BE-ja nuk i ka sjellë Britanisë së Madhe përfitimet e pritshme dhe se vendi duhet të shqyrtojë mundësitë për një marrëdhënie më të ngushtë me unionin.

Megjithatë, qeveria britanike nuk ka shpallur një plan për rikthimin në BE dhe ka përjashtuar anëtarësimin në tregun e vetëm dhe bashkimin doganor gjatë mandatit aktual.

Samiti i Brukselit synon të ndërtojë një partneritet më të fortë dhe më praktik, duke ruajtur statusin e Britanisë së Madhe si vend jashtë Bashkimit Evropian.

Në përfundim të takimit, palët pritet të publikojnë një deklaratë të përbashkët ku do të përcaktohen drejtimet e mëtejshme të bashkëpunimit. /

Komentet

Bëhu i pari që komenton!

Lini një Koment të Ri

Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.

🔒 Komenti juaj do të publikohet pas miratimit nga moderatori.