Europa

Bruksel, shkollat dhe metrotë u rikthehen normalitetit nën masa të rrepta sigurie

Ashtu siç ishte paralajmëruar një ditë më parë, shkollat dhe pjesa më e madhe e sistemit të metrosë së Brukselit janë rihapur këtë të mërkurë, teksa kryeqyteti belg ka nisur t’i rikthehet normalitetit pas 4 ditësh të kaluara nën masa të rrepta sigurie thuajse në “shtetrrethim”, e megjithatë trupat ushtarakë nëpër rrugë të sjellin në vëmendje faktin që gjendja e alarmit mbetet ende reale.

Ndërkohë që policia është ende në kërkim të të dyshuarit kryesor për sulmet e 13 nëntorit në Paris, së bashku me 10 të tjerë për të cilët autoritetet dyshojnë se mund të kishin qenë duke planifikuar të tjera akte te dhunshme, qeveria belge planifikon ta rishikojë statusin e alarmit në kryeqytet vetëm javën e ardhshme.

Shkollat e qytetit janë mbrojtur sot nga 300 oficerë policie shtesë, disa prej të cilëve bënin roje jashtë portave të tyre, teksa prindërit sillnin fëmijët drejt institucioneve arsimore. Më shumë se gjysma e stacioneve të metrove në qytet janë hapur, kryesisht në qendër, ndërkohë që në to janë vendosur rreth 200 ushtarë në mbrojtje të tyre.

Jeta tregtare dhe publike thuajse u ndalën gjatë fundjavës. Salah Abdeslam, 26 vjeç, është ende në arrati, por rezulton si i dyshuari i tetë për të cilin Shteti Islamik ka bërë të ditur se ka marrë pjesë në sulmet e Parisit, që lanë të vrarë 130 persona. Qeveria belge ka bërë të ditur se ai mund të jetë i armatosur dhe i rrezikshëm, si dhe mund të jetë duke hartuar të tjera sulme.

Më shumë se 24 persona janë ndaluar në Bruksel që prej 13 nëntorit, pavarësisht se vetëm 5 prej tyre mbahen ende të arrestuar, ndërsa pjesa tjetër është liruar. Të ndaluarit janë ngarkuar me akuza për terrorizëm, përfshi 3 prej të cilëve që ndihmuan Abdeslamin me makinat e tyre t’u largohej ngjarjeve të Parisit.

Ngjarjet sportive dhe koncertet janë anuluar, por finalja e fundjavës për Kupën “Davis”, mes Belgjikës dhe Britanisë së Madhe pritet të zhvillohet siç ishte parashikuar në Ghent, në perëndim të kryeqytetit.

Në periferinë tjetër Bruges, gjithsesi, kryebashkiaku urdhëroi që ndeshja e së enjtes për “Europa League”, mes Club Bruges dhe italianëve të Napolit të zhvillohet në një stadium të boshatisur, për shkak se policia është e ngarkuar me të tjera detyra dhe nuk mund të sigurojë kontrollin e duhur ndaj turmës së shikuesve.

Gjithsesi, shqetësimet në lidhje me kohëzgjatjen e problemeve janë evidente. Një festim masiv për Vitin e Ri në një qendër performimi në Bruksel është anuluar, siç deklaruan organizatorët e këtij eventi.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button