Brukseli ka shprehur shqetësime të hënën në lidhje me retorikën negative në Maqedoni, që është theksuar në veçanti në ditët pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 11 dhjetorit atje. Të shtunën, ish-kryeminisrti maqedonas Nikolla Gruevski, i cili është kryetar i partisë VMRO-DPMNE, foli para qindra protestuesve të grumbulluar para selisë së Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, duke thënë se “disa ambasadorë po përzihen në punë e brendshme të Maqedonisë”, ndërsa akuzoi KSHZ-në, OJQ-të dhe partitë opozitare se po përpiqen t’ia rrëmbejnë fitoren partisë së tij.
Në Bruksel, zëdhënësja e Komisionit Evropian, Maja Kocijançiç u bëri thirrje aktorëve politikë në Maqedoni që të veprojnë me përgjegjësi në mënyrë që të kthehet besimi i popullit në institucionet e vendit dhe në proceset demokratike. Kocijançiç ka theksuar nevojën për të hequr dorë nga trysnitë ndaj KSHZ-së dhe gjyqësorit dhe që të lihen ato të kryejnë punën e tyre lidhur me ankesat mbi procesin zgjedhor.
Ndërkaq, ambasadori amerikan në Shkup, Jess Baily pati takime të ndara të hënën me drejtuesit e Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti dhe atë të Lidhjes Social Demokrate, Zoran Zaev. Nga Ambasada amerikane nuk kanë dhënë hollësi mbi takimet, por ambasadori Baily pati njoftuar të shtunën pas një takimi me z. Gruevski se do të takonte edhe drejtuesit e partive të tjera të cilat kishin fituar mandate në zgjedhje.
Zaev dhe Ahmeti kanë dënuar retorikën fyese ndaj diplomatëve perëndimorë.
Fjalimi i të shtunës i Nikolla Gruevskit u cilësua si mjaft kërcënues dhe fyes. Ai tha se ka njoftime për përzierje të disa ambasadorëve të huaj për të ndikuar tek disa prej anëtarëve të komisionit të zgjedhjeve me qëllim të falsifikimit të vullnetit të popullit në Maqedoni.
“Kërkojmë që të qëndrojnë në kornizat e mandatit të tyre dhe të ndalojnë përzierjen në punët e brendshme të Maqedonisë”, tha Gruevski.
“Nëse edhe Gjykata administrative i konfirmon vendimet e KSHZ-së, VMRO-DPMNE nuk do të marrë pjesë në rivotim dhe nuk do t’i njohë rezultatet e rivotimit”, qe shprehur ai. Ndërsa Gruevski mbante fjalimin, protestuesit mbanin pankarta, në të cilat shkruhej: “Donald Trump ne të duam” dhe “Ambasador Bejli, larg duart nga Maqedonia!”.
Në këtë kuadër, në rrjetet sociale kanë qarkulluar fotografi funerali në të cilat paraqiten ambasadorët amerikan, gjerman, britanik, italian, i BE-së në Maqedoni dhe të ish-ndërmjetësve në bisedimet për zgjidhjen e krizës në Maqedoni. Megjithëse nuk dihet se kush e ka bërë këtë, akti shikohet si vazhdim i kërcënimit ndaj komunitetit ndërkombëtar në vend.