BSH- Rritet kredia për biznesin
-Vrojtimet e Bankës Qendrore tregojnë se sistemi bankar po jep sinjale pozitive në drejtim të lehtësimit të standardeve të kreditimit dhe të përmirësimit të kushteve të ofertës për kredi.
Banka e Shqipërisë, bëri të ditur se totali i kredisë së re për biznesin gjatë 11-mujorit të këtij viti kishte vlerën e 200 miliardë lekëve dhe rezulton me rritje për shumicën e sektorëve ekonomikë.
Sektori më i kredituar ngelet tregtia, me një portofol prej 95 miliardë lekësh, në rritje me 40% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Me rritje janë edhe sektorët prodhues të ekonomisë dhe në veçanti industria nxjerrëse. Kredia e re për këtë degë gjatë këtij viti kishte vlerën e 7.4 miliardë lekëve, afro katër herë më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Sipas BSH-së, kredia për industrinë përpunuese është rritur në përmasa më modeste, me rreth 1% ndaj të njëjtës periudhë të vitit paraardhës.
Pozitiv është fakti që kreditimi i është rikthyer rritjes edhe në sektorë që në vitet e fundit kanë pasur mjaft probleme, si ndërtimi apo energjitika. Kredia për sipërmarrjen është përcaktuese për ecurinë e kreditimit të ekonomisë në tërësi, duke qenë se përbën mbi 67% të totalit.
Të dhënat e kredisë së re janë një sinjal i qartë se ngërçi i kreditimit po tejkalohet.