🌤️
Tiranë 21°C · Kryesisht kthjellët 22 Tetor 2026
S&P 500 7,696 ▼0.78%
DOW 52,789 ▼0.13%
NASDAQ 26,312 ▼1.46%
NAFTA 99.29 ▲2.2%
ARI 4,079 ▼1.72%
💱 VALUTAT
EUR/USD 1.1232 EUR/GBP 0.8386 EUR/CHF 0.9261 EUR/ALL 90.8150 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.4983 EUR/TRY 55.7642 EUR/JPY 177.57 EUR/CAD 1.5779 EUR/USD 1.1232 EUR/GBP 0.8386 EUR/CHF 0.9261 EUR/ALL 90.8150 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.4983 EUR/TRY 55.7642 EUR/JPY 177.57 EUR/CAD 1.5779
₿ CRYPTO
BTC $81,731 ▼ -2.59% ETH $2,412 ▼ -2.58% XRP $1.3283 ▼ -2.3% SOL $105.1100 ▼ -1.79%
S&P 500 7,696 ▼0.78 % DOW 52,789 ▼0.13 % NASDAQ 26,312 ▼1.46 % NAFTA 99.29 ▲2.2 % ARI 4,079 ▼1.72 % S&P 500 7,696 ▼0.78 % DOW 52,789 ▼0.13 % NASDAQ 26,312 ▼1.46 % NAFTA 99.29 ▲2.2 % ARI 4,079 ▼1.72 %
EUR/USD 1.1232 EUR/GBP 0.8386 EUR/CHF 0.9261 EUR/ALL 90.8150 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.4983 EUR/TRY 55.7642 EUR/JPY 177.57 EUR/CAD 1.5779 EUR/USD 1.1232 EUR/GBP 0.8386 EUR/CHF 0.9261 EUR/ALL 90.8150 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.4983 EUR/TRY 55.7642 EUR/JPY 177.57 EUR/CAD 1.5779
22 Tet 2026
Breaking
Opinion

“Bukë dhe cirk” si mënyrë qeverisjeje

Nga THOMA GËLLÇI

Në Romën e Lashtë, poeti romak Juvenal përshkroi një mënyrë qeverisjeje që u bë e njohur me shprehjen “bukë dhe cirk” : Perandorët organizonin gara, shfaqje dhe spektakle të mëdha për publikun, ndërsa shpërndanin edhe ushqim falas. Qëllimi nuk ishte zgjidhja e problemeve të qytetarëve, por ulja e pakënaqësisë dhe largimi i vëmendjes nga mënyra se si qeverisej vendi.

Kanë kaluar rreth dy mijë vjet, por kjo praktikë vazhdon të përmendet sa herë që një qeveri i jep përparësi spektaklit në vend të përgjegjësisë për administrimin e parasë publike.

Pikërisht për këtë arsye ka shkaktuar reagime lajmi se qeveria shqiptare ka përdorur 4 milionë euro nga fondi rezervë për të financuar koncertin e Kanye West në Tiranë.

Së pari, koncerti nuk është një shërbim publik. Ai është një aktivitet privat. Organizatorët shesin bileta, krijojnë të ardhura dhe përfitojnë ekonomikisht nga organizimi i tij. Kjo është normale në një ekonomi tregu. Kush organizon një koncert, merr përsipër edhe rrezikun financiar të tij. Nëse aktiviteti është i suksesshëm, fiton. Nëse nuk është, humbet. Ky është rregulli i tregut.

Roli i shtetit nuk është të mbulojë rrezikun financiar të sipërmarrjeve private me paratë e taksapaguesve. Përkundrazi, shteti duhet të krijojë kushtet që aktivitetet private të zhvillohen, të paguajnë taksa dhe të kontribuojnë në buxhetin e vendit, jo të financohen prej tij.

Së dyti, edhe nëse qeveria vendos të mbështesë një aktivitet kulturor ose artistik, kjo duhet të bëhet me fondet e parashikuara për kulturën, turizmin ose promovimin e vendit. Përdorimi i fondit rezervë e ndryshon tërësisht natyrën e vendimit.

Fondi rezervë nuk është krijuar për koncerte. Ai është një mekanizëm financiar për raste të jashtëzakonshme: zjarre, përmbytje, tërmete, epidemi dhe situata të tjera ku shteti duhet të reagojë menjëherë për të mbrojtur jetën, pronën dhe interesin publik.

Nëse sot fondi rezervë përdoret për një koncert, nesër do të përdoret për çdo aktivitet tjetër që qeveria e konsideron politikisht të dobishëm. Kështu humbet kufiri mes nevojës publike dhe interesit të momentit.

Asnjë koncert, pavarësisht emrit të artistit apo numrit të spektatorëve, nuk mund të konsiderohet një emergjencë kombëtare. Një koncert mund të sjellë vizitorë, publicitet ose fitime për organizatorët, por këto nuk janë arsyet për të përdorur fondin që është krijuar për fatkeqësi dhe situata të jashtëzakonshme.

Në Romën e Lashtë, “bukë dhe cirk” financoheshin nga perandori, i cili e konsideronte thesarin e shtetit si pronën e tij. Sot jetojmë në një republikë ku thesari nuk i përket as kryeministrit, as ministrave dhe as qeverisë. Ai u përket taksapaguesve. Ndoshta ky është ndryshimi që duhet kujtuar më shumë. Sepse Roma e Lashtë u bë histori jo vetëm për madhështinë e saj, por edhe për momentin kur pushteti filloi të besonte se spektakli ishte zëvendësim për qeverisjen. Kur një qeveri fillon ta trajtojë spektaklin si emergjencë kombëtare, rrezikon ta trajtojë emergjencën kombëtare si një spektakël.

Komentet

Bëhu i pari që komenton!

Lini një Koment të Ri

Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.

🔒 Komenti juaj do të publikohet pas miratimit nga moderatori.