Ekonomia

Bursa e re private, AMF zbardh vendimin: Për momentin do tregtojë vetëm titujt e qeverisë

Vetëm pak ditë më parë, Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare licencoi Bursën Shqiptare të Titujve ALSE SH.A.  Sipas një vendimi të publikuar sot nga vetë autoriteti rezulton që kjo bursë do të tregtojë fillimisht vetëm titujt e qeverisë.  “Shoqëria ‘Bursa Shqiptare e Titujve ALSE’ sh.a., 1 vit pas vënies në funksionim të infrastrukturës teknike, do të ushtrojë vetëm veprimtarinë në titujt e Qeverisë të Republikës së Shqipërisë”, thuhet në vendim.

Burime nga Bursa thanë për “Monitor”, se ata janë në një fazë shumë intensive për përgatitjen e të gjithë infrastrukturës institucionale për procesin e klerimit dhe shlyerjes e titujve joqeveritarë (aksione, obligacione), por në arkitekturën aktuale të tregut mungojnë institucione specifike që do të mundësonin ofrimin e këtij shërbimi.

Aktualisht në tregun shqiptar të titujve funksionon vetëm depozitari qendror i titujve të qeverisë (bono, obligacione) i cili administrohet nga Banka e Shqipërisë, përmes platformës Afisar, ndërsa për titujt privatë një platformë e tillë mungon. Kjo është arsyeja pse faktikisht Bursa do të fillojë me titujt e qeverisë dhe shumë shpejt (deri në tremujorin e parë të vitit që vjen) pasi AMF të ketë licencuar institucione të tjera financiare analoge me Afisar, po për titujt jo qeveritare, do të mundësohet tregtimi i titujve privatë. Sapo të licencohet ky institucion shumë shpejt bursa do të ketë mundësi t’u ofrojë investitorëve edhe tituj të tjerë si aksione dhe obligacione të korporatave, thonë burime nga Bursa, që theksojnë se ajo është e licencuar për tregtimin e titujve dhe tregton çdo lloj titulli.

“Bursa Shqiptare e Titujve, ALSE” sh.a. është një shoqëri aksionere, me tre aksionerë themelues: Banka Credins sh.a., me 42.5% të kapitalit, Banka Amerikane e  Investimeve sh.a. me 42.5% të kapitalit dhe shoqëria AK Invest sh.a. me 15% të kapitalit. Kapitali i regjistruar i kësaj shoqërie është 50,000,000 lekë. Ajo do  të ketë si aktivitet kryesor: Tregtimin si bursë letrash me vlerë, për tregtimin e titujve dhe instrumenteve të tjerë financiarë; Realizimin e një platforme tregtimi shumëpalëshe; Edukimin, promovimin dhe dhënien e informacionit grupeve të interesuara lidhur me veprimtaritë e tregut të kapitalit, aktivitetin e emetuesve të titujve të listuar në bursën e titujve dhe aktivitetin e anëtarëve të bursës së titujve.

Shoqëria “Bursa Shqiptare e Titujve, ALSE” sh.a. do të përdorë sistemin elektronik të quajtur “Quick Trade”, sistem i cili përdoret edhe nga Bursa e Lubjanës në Slloveni, si edhe nga Bursat e Shkupit, Sarajevës, Banja Lukës dhe Malit të Zi. Ky sistem mund të kryejë deri në 100,000 transaksione në ditë.

Sipas AMF,  në tregun shqiptar, krijimi i një burse është aktivitet progresiv për ekonominë e vendit, një pikë takimi midis njësive ekonomike për të gjetur kapital dhe për të rritur biznesin e tyre si dhe qeverisë për të gjetur financime për projekte zhvilluese dhe për pushtetin vendor.

Vendimi i zbardhur

VENDIM

Nr. 88, datë 03.07.2017

PËR

MIRATIMIN E DHËNIES SË LICENCËS PËR USHTRIMIN E VEPRIMTARISË SI BURSË E TITUJVE SHOQËRISË “BURSA SHQIPTARE E TITUJVE ALSE” SH.A.

Në bazë dhe për zbatim të nenit 14, pika 4, të Ligjit nr. 9572, datë 03.07.2006 “Për Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare”, i ndryshuar, nenit 78 të Ligjit nr. 9879, datë 21.02.2008 “Për Titujt” dhe të Rregullores nr. 120, datë 02.10.2008 “Mbi licencimin dhe mbikëqyrjen e bursës së titujve”, e ndryshuar, me propozim të Drejtorisë së Licencimit dhe Monitorimit të Ndërmjetësve, Bordi i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare,

V E N D O S I:

  1. Miratimin e dhënies së licencës për ushtrimin e veprimtarisë si bursë e titujve shoqërisë “Bursa Shqiptare e Titujve ALSE” sh.a.
  2. Shoqëria “Bursa Shqiptare e Titujve ALSE” sh.a., njofton Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare për vënien në funksionim të infrastrukturës teknike.
  3. Shoqëria “Bursa Shqiptare e Titujve ALSE” sh.a., 1 vit pas vënies në funksionim të infrastrukturës teknike, do të ushtrojë vetëm veprimtarinë në titujt e Qeverisë të Republikës së Shqipërisë.
  4. Ngarkohen departamentet përkatëse për ndjekjen dhe zbatimin e këtij vendimi.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button