Camaj: Po bisedohet pa tregti e shantazhe për kushte më të favorshme për mandatet e pakicave
Nënkryetari i Kuvendit dhe përfaqësuesi i Forumit Shqiptar, Nikolla Camaj, thotë se qëllimi është ndarje më e drejtë e mandateve për partitë shqiptare dhe kroate; Delegacioni i BE-së kërkon dialog të gjerë dhe zgjidhje sipas standardeve evropiane.
Po zhvillohen bisedime që partive shqiptare dhe kroate t’u mundësohet ndarje më e drejtë e mandateve të deputetëve dhe të arrihet një zgjidhje më e drejtë, ka deklaruar për Vijesti nënkryetari i Kuvendit të Malit të Zi dhe përfaqësuesi i Forumit Shqiptar, Nikolla Camaj.
Siç kishte njoftuar Vijesti në fund të tetorit, Lëvizja Evropa Tani (PES) në pushtet u kishte premtuar partive të pakicave se do të përgatiste ndryshimet e legjislacionit zgjedhor për përfaqësim më të madh të subjekteve politike shqiptare dhe kroate në Kuvend, në këmbim të mbështetjes për ndryshimet e reja të Kushtetutës. Partitë e pakicave i kishin dërguar më herët një letër shefit të Delegacionit të BE-së, Johan Satler, me kërkesën që listave shqiptare t’u mundësohet fitimi i katër mandateve, në vend të më së shumti tre deri tani, si dhe që partive kroate t’u lehtësohet arritja e një mandati, duke e ulur pragun zgjedhor nga 0,35 në 0,25 për qind të votave të vlefshme.
Camaj tha se bisedimet për ndryshimin e legjislacionit zgjedhor zhvillohen “pa tregti e shantazhe”, por nuk saktësoi se kush bisedon me kë dhe prej kur. “Qëllimi është të arrihet një zgjidhje që do të mundësojë ndarje më të drejtë të mandateve, kur bëhet fjalë për partitë shqiptare dhe kroate. Për ne thelbi është respektimi i vazhdueshëm i të drejtave të veçanta të pakicave të garantuara me Kushtetutë, i barazisë dhe i parimeve mbi të cilat mbështetet rruga evropiane e Malit të Zi”, tha ai. Sipas tij, synohet të pengohet përsëritja e situatës së vitit 2016, kur një mandat i partive shqiptare “kushtoi” rreth 10.000 vota: koalicioni “Shqiptarët të vendosur” me 4.854 vota fitoi një mandat, ndërsa dy listat e tjera shqiptare, me gjithsej 4.936 vota, mbetën pa përfaqësues.
I pyetur nëse po bisedohet për modelin sipas të cilit listat shqiptare do të fitonin një mandat me të paktën 0,7 për qind të votave, dy me 1,4 për qind, tre me 2,1 për qind dhe katër me 2,8 për qind të votave të vlefshme, Camaj u përgjigj se zgjidhja do të jetë “përafërsisht ashtu”, por pa mandate të garantuara dhe pa kushtëzime.
Delegacioni i Bashkimit Evropian në Podgoricë i tha Vijesti se pret që për ndryshimet e mundshme të legjislacionit zgjedhor, përfshirë përfaqësimin e pakicave, të bisedohet përmes një dialogu të gjerë e gjithëpërfshirës dhe të arrihen zgjidhje me mbështetje të gjerë politike, në përputhje me standardet evropiane e ndërkombëtare. Drejtori ekzekutiv i Qendrës për Tranzicion Demokratik (CDT), Dragan Koprivica, tha ndërkaq këtë javë për Vijesti se qëllimet e partive në pushtet për ta përdorur aksionin afirmativ për marrëveshje politike janë në kundërshtim me thelbin e tij, duke e cilësuar procesin si jotransparent, sepse publiku nuk e di se kush saktësisht ka marrë pjesë në negociata.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.