Politika

Cani dhe Klosi nuk i binden Ramës, ende me mandat deputeti

Ministrat, “përplasje” me pasardhësit në listat e Dibrës dhe të Durrësit

Nga Artemisa Hoxha

Mbledhja e fundit e Byrosë Parlamentare ditën e enjte pas replikave mes ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj, dhe deputetes demokrate, Albina Deda, ndaj së cilës u përdorën fjalë fyese, nuk solli asnjë ndëshkim për ministrin e qeverisë “Rama”, pasi ky i fundit nuk ka mandat deputeti, çka u mbyll thjesht me një “mea culpa” nga ana e tij. Ky vendim risolli në vëmendje pikërisht një çështje, që nuk është e panjohur në radhët e mazhorancës, atë të ministrave që vijojnë ende të kenë një mandat të dyfishtë, përfshirë këtu edhe të deputetit. Nga 19 ministrat e qeverisë, që prej konstituimit të kabinetit të ri ai që vijon të ketë mandatin që prej shtatorit të 2013-s, është ministri i Financave, Shkëlqim Cani, ndërsa që prej 5 muajsh që kur është bërë ministër, mandatin e deputetit e mban njëkohësisht edhe Blendi Klosi, i cili zëvendësoi në postin e ministrit të Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliajn. Mesa duket, dy ministrat do të vijojnë ta mbajnë këtë mandat, edhe pse që në krijimin e qeverisë së re “Rama”, Kryeministri iu ka kërkuar të gjithë ministrave që të lënë mandatin, duke marrë shkas nga puna e dyfishtë që do t’iu duhej të bënin.

Reagimet

Edhe pse nuk kanë afat të përcaktuar për lënien e mandatit të deputetit, dy ministrat e kabinetit qeveritar nuk kanë dhënë asnjë koment lidhur me këtë çështje. Por në lidhje me mandatin e ministrit Cani, mësohet se mosdakordësia me kandidaten në listën shumemërore të PS-së për Qarkun e Dibrës, Ezmerina Hoxha, vijon të mbetet arsyeja e mosdorëzimit të tij. Edhe pse ndaj ministrit Cani nuk kanë munguar kritikat e Kryeministrit Rama që në fillim të vitit për shkak të vonesave në pagesat e punonjësve të administratës shtetërore, kjo nuk është një arsye që ministri të përdorë këtë mandat nga frika e një zëvendësimi me një tjetër emër në radhët e mazhorancës. Teksa vetë ministri Cani nuk jep asnjë koment në lidhje me këtë fakt, kandidatja e PS-së në Dibër, Ezmerina Hoxha, ia ka lënë në dorë kryesisë së partisë zgjidhjen e çështjes së mandatit të deputetit. “Për mandatin e deputetëve nuk jam unë ajo që vendos. Unë jam në pritje dhe në kontakte të vazhdueshme me strukturat e Partisë Socialiste, por për mandatin do të vendosë vetë Kryesia e PS-së”, ka qenë deklarata e fundit e bërë nga kandidatja për deputete në Dibër. Por që prej kësaj deklarate asgjë nuk ka ndryshuar në lidhje me këtë çështje. Gjithsesi ajo që dihet tashmë është pikërisht fakti se e majta ka shprehur një mbështetje më të madhe për kandidatin tjetër në listë, Hasan Cenin, duke i kërkuar në këtë mënyrë mirëkuptim kandidates së vetme femër në këtë qark, për lënien e mandatit. Mosarritja e një konsensusi duket se ka lënë pezull edhe çështjen e mandatit, që me shumë gjasa do të kalojë te mjeku Ceni, një zë i njohur në drejtimin e Partisë Socialiste në Burrel. Në lidhje me mandatin e ministrit Klosi, ende nuk është bërë e ditur arsyeja e moslënies së mandatit të deputetit, dorëzimi i të cilit do t’i linte hapësirë një tjetër kandidati për deputet që synon të hyjë në Parlament. Bëhet fjalë për Jurgis Çyrbja. Emri i kandidatit është i teti në listën e Partisë Socialiste për Qarkun e Durrësit, pasi PS për këtë qark nuk ka në listë asnjë emër tjetër femre. Çyrbja, i cili aktualisht mban postin e kreut të Hipotekës në Bashkinë e Durrësit do të ulet në radhët e Parlamentit vetëm në rast se Klosi dorëzon mandatin e deputetit.

Deklarata e Kryeministrit

Rama: Ndarja e mandateve, risi në transformimin e ekzekutivit dhe legjislativit

Deklarata e parë e Kryeministrit Edi Rama që me marrjen këtij posti do të ishte ajo e prezantimit të emrave të 19 ministrave, emra të njohur nga PS dhe LSI, nga ku do të bënte publikë edhe risinë e qeverisë, pikërisht atë të lënies së mandatit të deputetit dhe përkushtimit në postin e ministrit. “Për mua këto dy risi të mëdha janë shprehje të diktuara prej revolucionit me votë të 23 qershorit. Për të pasur ministra që në përgjegjësinë e tyre personale do t’i shërbejnë popullit dhe që do të punojnë ditë-natë me një axhendë të vetme: Axhendën e Qeverisë së Re për të ecur më shpejt në rrugën e një Rilindjeje Shqiptare. Por njëkohësisht, në kushtet e ndarjes së mandateve është menduar me kujdesin më të madh, për të mos e zbrazur sallën e Kuvendit nga zërat e përvojës parlamentare dhe për t’i dhënë eksperiencës rolin që i takon në komisionet parlamentare. Kështu që asnjë ekuivok: Qeveria s’mund të kryejë me sukses misionin e vet, pa një trupë parlamentare që të çojë përpara me ritëm e cilësi procesin legjislativ”, ka thënë Rama në deklaratën e 31 korrikut të 2013-s, nga ku do të argumentonte edhe më tej çështjen e lënies së mandatit. “Risia e madhe e ndarjes së mandateve, duhet parë si zanafilla e një transformimi të thellë të ekzekutivit e të legjislativit dhe të marrëdhënies mes tyre. Sidoqoftë, duke e lënë në gjykimin tuaj e të publikut shijen e këtij fryti të parë të punës sonë të pas 23 qershorit, dua t’ju siguroj ju dhe publikun për një gjë: Detyra e kryeministrit do të jetë imja, po pushteti do të jetë i popullit dhe nga dita e betimit, çdo ministër do ta rrijë në detyrë vetëm duke i shërbyer me nder e duar të pastra popullit të vet”, ishte pjesa e fjalimit të Kryeministrit Rama gjatë prezantimit të kabinetit qeveritar.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button