Ekonomia

Cani në Korçë, rritja e taksave nuk është në axhendën e qeverisë

Ministri i Financave, Shkëlqim Cani zhvilloi të premten në Korçë takime pune me përfaqësues të komunitetit të biznesit në këtë qark. Cani bëri të ditur angazhimin e ministrisë së Financave për të hartuar, mundësisht brenda muajit korrik 2016, paketën e re fiskale që shoqëron buxhetin e vitit 2017.

“Ne synojmë që, pasi të kemi miratuar paketën fiskale të vitit 2017 gjatë verës, të ketë mbaruar e gjitha paketa dhe aktet nënligjore, në mënyrë që biznesi të ketë kohë të mësojë dhe ta dijë se cilat janë ndryshimet që hyjnë në fuqi në 1 janar 2017”, tha Cani.
Ministri shpjegoi se nuk bëhet fjalë për taksat. “Rritja e taksave nuk është më në axhendën e qeverisë, por mund të ketë rregullime, kryesisht do të jenë masa administrative, rregullative, organizative, që do përmirësojnë klimën e biznesit. Ndaj jemi të hapur t’ju dëgjojmë që tani”, u shpreh ai.

Cani iu tha përfaqësuesve të biznesit se propozimnet e tyre duhet të marrin në konsideratë edhe ndryshimet që mund të sjellin efekte në buxhet. “Ne kemi detyrim që të ruajmë deficitin, të ulim borxhin, ndaj duhet t’i shikoni në të dy kahet propozimet tuaja”, tha Cani.

Në vijim të fjalës së tij, ministri Cani u ndal edhe te çështja e informalitetit. “Antiinformaliteti është një lëvizje e tërë, nuk është se e nisëm në korrik-gusht, bëmë evidentimin dhe kaq. Kjo është një betejë që nuk do ndalet. Ne kërkojmë mirëkuptimin tuaj për këtë çështje, ne jemi të vendosur në luftën ndaj informalitetit, ne nuk mund ta pranojmë atë”, tha ministri.

Duke folur për strategjinë antiinformalitet, ministri nënvizoi se vetëm para pak ditësh është miratuar plani operacional për vitin 2016 dhe se tani është konturuar një fazë e dytë. Ministri shpjegoi edhe hollësi teknike për këtë fazë të luftës kundër informalitetit. Duke u ndaluar tek buxheti i vitit 2016, ministri Cani tha në takim se kemi shumëfishuar buxhetin për ujitjen dhe kullimin.

“Kemi hequr mënjanë në buxhet një fond që ndahet në dy zëra: 1) për të subvencionuar, pra për të ulur normat e interesit të kredive që do merren për bujqësinë dhe agropërpunimin në 0-2% dhe 2) meqënë se bujqësia kreditohet me vështirësi nga sistemi bankar, bashkë me BERZH, kemi planifikuar një fond, i cili do të jetë garancia, nëse sektorë si bujqësia, blegtoria, pyjet, agropërpunim etj nuk e shlyejnë kredinë në kohë. Ne shpresojmë të shumëfishohet kredia”, tha z. Cani.

Ministri i Financave, në vijim të takimeve të tij në qarkun e Korçës ka takuar biznese dhe individë në biznes që kanë bërë sukses me sipërmarrjet e tyre si dhe i është përgjigjur interesimit të medias lokale dhe qendrore, duke i sqaruar gazetarët për çështje të ndryshme.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button