Putin, akuza SHBA-së dhe NATO-s
“Gabuam në çdo gjë: 25 vjet më parë ra Muri i Berlinit, por mure të tjera të padukshme u vendosën në Europën lindore. Ndasitë, në të vërtetë, nuk arritëm t`i kapërcenim kurrë dhe ky është shkaku i vërtetë i të gjitha krizave”.
E thotë Vladimir Putin në intervistën e mbushur me akuza e qortime dhënë gjermanes “Bild”. Shefi i Kremlinit e drejton gishtin nga Amerika e NATO-ja, duke denoncuar atë që ishte, sipas tij, qëllimi i tyre ndaj Kontinentit të Vjetër: të uleshin të vetme mbi fronin e Evropës.
“Të kontrollonin ata çdo gjë. NATO-ja nuk duhet të ishte zgjeruar në lindje”, arsyeton kreu i shtetit rus. Por aleanca ushtarake, sipas tij, bashkë me Uashingtonin, kërkonin një triumf total mbi Bashkimin Sovjetik, donin ta kishin Evropën në duart e tyre. Por sot rrinë ulur aty ndërsa ne flasim për kriza që në kushte të tjera nuk do të kishin ekzistuar.
Sipas Putinit, edhe Rusia e bëri një gabim që solli për rrjedhojë këtë ngërç nëpër të cilin po kalon kontinenti sot: “Arritëm shumë vonë”, thotë ai. “Po t’i kishim shpjeguar më qartë që në fillim cilat ishin interesat tona kombëtare, atëherë bota sot do të ishte ende në ekuilibër. Por, pas rënies së Bashkimit Sovjetik, u përballëm me probleme të medha e për të cilat nuk mund të fajësojmë veçse veten: krizën ekonomike, kolapsin e asistencës sociale, separatizmin, sulmet terroriste që tronditën vendin nga themelet”, shpjegon Putin.
Që marrëdhëniet mes Rusisë e fqinjëve të saj evropianë, por edhe partnerëve të tjerë nëpër botë të jenë sa më konstruktive, për Putinin ka vetëm një kusht mjaft të thjeshtë për t’u plotësuar: respekti për njëri-tjetrin dhe ndjekja njësoj e rregullave nga të gjithë, në vend që këto rregulla të ndryshohen sa herë i teket dikujt, në varësi të interesave të veta.